Javën tjetër në Bruksel vendoset nëse do çelen negociatat për kapitujt e parë me Shqipërinë apo jo. Pasditen e sotme në Kongresin e PS-së kryeministri Edi Rama u shpreh i pashqetësuar nga kërcënimi me veto i Greqisë në këmbim të lirimit të kryetarit të bashkisë së zgjedhur Fredi Beleri nga burgu për të bërë betimin.

“Asnjë cic mic apo gërr gërr politik nuk e vonon dot Shqipërinë në këtë proces” tha Rama duke zbuluar madje dhe planin edhe nëse do të kthehet nga Brukseli me “JO”  për shkak të ‘arsyes e mos arsyes të Greqisë që nuk ka lidhje me procesin e negociatave’

Rama tha se Shqipëria do të vijojë punën për përafrimin e legjislacionit me BE-në.  “Pa e prishur gjakun” me tu kthyer në Tiranë do ti përcjellë si kartolinë për vitin e ri ‘detyrat’ që ministrat do të kenë për vitet në vijim me qëllim përshpejtimin e procesit të përafrimit të legjislacionit 

“Për Shqipërinë do të thotë të ndërvendosë në legjislacionin e saj 280 mijë faqe të 3484 masave ligjore të KE-së, ose ndryshe ne do të miratojmë mbi 4 mijë akte ligjore e nënligjore. Që kur Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë përafrim të përbashkët me BE-në e deri tani ka arritur të bëjë ndërvendosjen e vetëm 510 masave, pra 15% të volumit që duhet transferuar e ndërvendosur në legjislacionin tonë”

Madje zbulon se për të realizuar detyrat e shtëpisë, ndërvendosjen në legjislacionin të 280 mijë faqeve, ka kërkuar ndihmë dhe Mira Muratit, për të përshpejtuar këtë proces me Chat Gpt.

“Ajo qeshi se mendoj se po bëja humor. Unë e pyes a është e mundur që në vend që në të rekrutojmë një armatë me përkthyes dhe një batalion me juristë dhe të shpenzojmë dhjetëra miliona euro, për të bërë gati në shqip malin me masat ligjore të BE-së ta bëjmë këtë përmes Chat GPT. Mu përgjigj që më duket e mundur. Kështu nisi puna me Mirën dhe një skuadër të përbashkët që krijuar me AKSH-in”

Rama u ndal dhe tek vetoja e Greqisë

“Ne do të shkojmë në Bruksel javën e ardhshme për mbledhjen e KE-së në Ballkanin Perëndimor me kokën lart dhe me bindjen në meritat e Shqipërisë për të gjitha rezultatet. Nuk ndryshojmë qëndrim. Nuk ndryshon as deri më 13 dhjetor dhe as nuk do të ndryshojë përtej 13 dhjetorit.  Nuk pranoj ta besoj deri më 13 dhjetor që Greqi do vërë tapën e vetos shishes së hapur me aq përkushtim”

Pasi përmendi transformimin e bërë dhe Shqipërinë e vitit 2023 kryeministri Edi Rama nënvizoi dhe sfidat kryesore me të cilat janë përballur gjatë qeverisjes.

“Sot  kemi shpalosur prioritetet tona kryesore të zhvillimit për ta ngjitur Shqipërinë në majën e lartë drejtë si cilës u nisëm 10 vite më parë. Morëm në kurriz borxhe, krim të organizuar varfëri por edhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit dhe në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin Shqipëri dhe Shqipëria goditej sa herë zihej me gojë qoftë në institucionet ndërkombëtare qoftë në mediet e botës së lirë.

Kemi punuar në çdo front dhe kemi luftuar me mijëra plagë të trashëguara me plagët e zakonshme të fatkeqësive të reja që na sprovuan njëra pas tjetrës një tërmet shkatërrimtar një pandemi marramendëse…

Nëse do ishte PD përballë këtyre sfidave sot do ishim në humnerë, pa asnjë ekzagjerim të ngjashme me humnerën e 1997. Vetëm falë PS të treja furtunat na gjetën në këmbë dhe të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm të këtij vendi me forcën dhe dinjitetin e një shteti që ende nuk ua plotëson dot shumë gjëra qytetarëve por ama nuk i lë vetëm në momentet e vështirësive të mëdha”, tha Rama.

Duke krahasuar zhvillimin e vendit me para vitit 2013 tha se vendi ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, por socialistët duhet të fokusohen për shumë më tepër.