Në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës të nisur që në vitin 2020, policia ka ekzekutuar masat e sigurisë për 4 persona. Konkretisht është arrestuar Namik Simixhiu, Bledar Karoli dhe Jetmir Llapaj, ndërsa është vetëdorëzuar dje (8 dhjetor) Taulant Tushe. Erjon Murataj është shpallur në kërkim dhe ndodhet jashtë vendit.
Ndërkohë iu është komunikuar masa ‘arrest me burg’ për Lefter Kokën, i dënuar nga GJKKO, Alqi Bllakon, po ashtu i dënuar, të dy në burg. Sakaq urdhër-arresti është dhënë edhe për Mirel Mërtirin e Klodian Zoto, që të dy në kërkim ndërkombëtar, për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Ndërkohë iu është komunikuar masa ‘arrest shtëpie’ për Alba Thomain,Valbona Ballgjinin, Sidita Koplikun, Etleva Kondin dhe Sidita Tolën.
Konkretisht është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ për:
1- Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, aktualisht në burg)
2- Alqi Bllako, ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit (I dënuar nga GJKKO, për inceneratorin e Fierit, aktualisht në burg)
3- Mirel Mërtiri, pronari i Albteckenergy, (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit )
4- Klodian Zoto, administrator i kompanisë koncensionare (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit)
5- Erjon Murataj (në kërkim)
6- Bledar Karoli (arrestuar)
7- Taulant Tusha (drejtor i Infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës, u vetëdorëzua)
8- Namik Simixhiu (arrestuar)
9- Jetmir Llapaj (arrestuar)
10- Pëllumb Abeshi, ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, aktualisht në burg)
Iu është komunikuar masa ‘Arrest shtëpie’:
11- Alba Thoma, ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit
12- Valbona Ballgjini
13- Sidita Kopliku
14- Etleva Kondi
15- Sidita Tola.
Hetimet për inceneratorin e Tiranës kanë nisur në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Kujtojmë së më 1 gusht.Gjykata e posacme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie.
Sakaq më 25 shtator u dha vendimi për inceneratorin e Fierit. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg, ndërkohë ish-sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit Alqi Bllako do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg për aferën e inceneratorit të Fierit. Ndërsa për inceneratorin e Elbasanit GJKKO tha vendimin më 5 tetor, duke dënuar ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka me 5 vjet e 8 muaj burg për korrupsion e shpërdorim detyre.