Dy trena u përplasën me njëri-tjetrin në orët e vona të së dielës në Italisë, duke lënduar të paktën 17 persona.

Aksidenti midis një treni të shpejtë dhe një treni rajonal ndodhi në linjën midis Bolonjës dhe Riminit.

Shërbimi zjarrfikës njoftoi për 17 të plagosur, ndërsa një zëdhënës i operatorit kombëtar të trenave tha për AFP-në se bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore. Kur ndodhi përplasja, trenat po lëviznin me shpejtësi të ulët, sipas tij.

Nga pamjet, duken trenat e përplasur ‘kokë më kokë’. Për ngjarjen, ka nisurnjë hetim, ndërsa ministri i Transportit Matteo Salvini, njëkohësisht zëvendëskryeministër, tha se po ndjek nga afër situatën.

Tre muaj më parë, pesë punonjës të hekurudhave humbën jetën pasi u goditën nga një tren gjatë natës në linjën Milano-Torino.