Sali Berisha i vënë nën hetim bashkë me dhëndrin e tij për aferën Partizani, nuk ndal sulmet ndaj drejtësisë, duke e akuzuar se po përdoret nga kryeministri Edi Rama. Por, i prerë ka qenë është treguar ambasadori amerikan në Tiranë, David Wisner, i cili thotë se SHBA mbështet fuqimisht punën e SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë.

I pyetur nga gazeta ‘Panorama’ nëse ka një koment për akuzat e Berishës, ambasadori Wisner i kujton edhe njëherë ish-kryeministrit se është i shpallur non grata nga SHBA dhe se nuk ka përgjigje për një person që është futur në listën e zezë të amerikanëve për korrupsion madhor.

“Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor. Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin punën e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim kërkesat e popullit shqiptar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.”

Wisner thekson se korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërinë, dhe mbështet fort SPAK-un në hetimet ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes dhe krimit të organizuar.

Wisner ka komentuar edhe kaosin e krijuar prej javësh në Kuvend nga grupi i deputetëve të Berishës.

“Sigurisht që mund të ketë mosmarrëveshje për politikat, por ka nevojë për dialog konstruktiv, debat me respekt, si dhe pranimi se zyrtarët e zgjedhur nga çdo parti politike punojnë për njerëzit, për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë, si dhe për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj euro-atlantike”, ka thënë Wisner për Panorama.

Pjesë nga intervista dhënë për ‘Panorama’

Ka mjaft reagime ndaj hetimeve të SPAK ndaj disa ish-ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë, por edhe ish-kryeministrit Berisha dhe dhëndrit të tij. A mund të garantoni ju opinionin publik në Shqipëri se SPAK është i pavarur dhe jo i ndikuar nga pushteti, siç ka ndodhur në të kaluarën?

I ngarkuari me punë Wisner: Ne besojmë se SPAK po qëndron në lartësinë e atij mandati. Ka një shprehje në Shtetet e Bashkuara, që ‘drejtësia është e verbër’. I gjithë qëllimi për ngritjen e SPAK ishte të krijohet një institucion i pavarur për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, përfshi në nivelet më të larta të qeverisjes. Kjo është gjëja më me rëndësi që ai të jetë vërtet i suksesshëm dhe i efektshëm. Kemi parë të hetohen, t’u ngrihen padi dhe të dënohen zyrtarë të niveleve të larta nga i gjithë spektri politik.

U referohem deklaratave politike të z. Berisha, i cili e konsideron SPAK si “kamxhikun e Ramës”, ndërsa Kryeministri Rama nga ana e tij e konsideron reformën në drejtësi dhe SPAK-un produkt të partisë së tij për shtetbërje. Cila është përgjigja juaj për këto pikëpamje të palëve politike në Shqipëri?

I ngarkuari me punë Wisner: Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor. Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin punën e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim kërkesat e popullit shqiptar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Siç e vërejta, kemi investuar fort në suksesin e reformave në drejtësi të Shqipërisë, përfshi SPAK, përmes ekspertizës, financimit dhe mbështetjes sonë politike. Jemi krenarë të jemi partnerë me Shqipërinë. Çdo shqiptar meriton të jetojë në një vend ku secili është i barabartë përpara ligjit, ku shteti ligjor funksionon dhe ku secili ka një mundësi të barabartë për begati. Jo vetëm sepse e kërkon e ardhmja euro-atlantike e Shqipërisë, por sepse është gjëja e duhur.

A besoni se SPAK-u do t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe si do ta mbështesni më tej këtë strukturë të posaçme prokurorësh, që të jetë e pavarur dhe të rrisë më tej besueshmërinë ndaj publikut shqiptar?

I ngarkuari me Punë Wisner: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Shqipërisë dhe rrugës së saj euro-atlantike. Ambasadorja Kim e kishte zakon të thoshte se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur, por po e shohim të japë rezultate. Vazhdon të ketë të drejtë. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët tanë do të vazhdojnë t’i mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, përfshi mbështetjen tonë për SPAK-un. Përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë dhe të Shtetit, si dhe kolegët tanë nga FBI dhe DEA do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Shqipërisë. Mendoj se ia vlen të vihet në dukje se në gjashtë vitet e kaluara, Shtetet e Bashkuara kanë investuar mbi 27.5 milionë dollarë në programet për ligjzbatimin dhe reformën në drejtësi në Shqipëri.