Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt dje në Bruksel, marrëdhëniet e ftohta me Greqinë, hetimi i nisur nga SPAK për koncesionin e inceneratorit të Tiranës por dhe pezullimi i marrëveshjes me Italinë për emigrantët; – këto ishin temat kryesore që u prekën sot në konferencë për median nga kryeministri Edi Rama.
Një nga pikat e deklaratës së përbashkët të miratuar dje në Bruksel ishte dhe gjetja e zgjidhjeve për atë që vetë Rama e etiketoi si ‘dallime aktuale’ Shqipëri – Greqi. Rama tha se në Bruksel kishte bërë të qartë se mosmarrëveshjet me Greqinë pas çështjes së Fredi Belerit do e zgjidhin mes tyre dhe nuk ka pse të lidhet me procesin e negociatave.
“Dallimi aktual mes nesh e Greqisë kam nënvizuar se kjo është çështje mes nesh dhe duhet ta trajtojmë mes nesh. Si Shqipëri ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me Greqinë që është partner strategjik dhe vend fqinj që duam të thellojmë bashkëpunimin dhe forcojmë miqësinë duke bërë gjithçka na takon ne. Ne duam të jemi një vend europian në BE, jo një shtet ballkanik në BE” tha Rama.
Një koment e dha dhe për bisedën e djeshëm me kryeministrin grek.
“Me kryeministrin Mitsotakis s’kemi asnjë gjë personale dhe përkundrazi edhe biseda e djeshme ka qenë shumë bisedë miqësore. Secili ka opinion e vetë, por kjo nuk është një arsye për të kaluar nga kufijtë e një problemi që duhet trajtuar, tek gjithë horizonti i një marrëdhënieje dhe për të hedhur në erë të gjithë marrëdhënien”
Sa i takon hetimit të nisur lidhur me inceneratorin e Tiranës, dosja është në dorë të drejtësisë dhe rezervoi të drejtën të flasë kur gjykata të ketë dhënë verdiktin final.
“Unë nuk jam llogaritar, por jam kryeministër i Shqipërisë. SPAK është organi i akuzës, gjykata është organi që vendos, dhe midis akuzës dhe vendimit ka një proces të tërë, që nuk është proces ku përfshihet qeveria, por prokurorët të akuzuarit avokatët gjykatësit. S’është pyetje për mua… Kam parë çudira që janë për të qeshur dhe për të qarë me këto kalkulatricet folklorike.”
U tregua i matur dhe nuk komentoi as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët
“Është e drejta e Gjykatës Kushtetuese është e sanksionuar në Kushtetutë. Fakti që Shqipëria ka një Gjykatë Kushteutese që merr vendime që mund të mos i shkojnë përshtat planit që ka qeveria është shumë mirë për Shqipërinë” tha Rama.
Sa i takon integrimit të Shqipërisë, Rama ndau me gazetarët vlerësimin ‘shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë posaçërisht nga ana e Komisionit Europian;’ dhe u shpreh i vendosur se do të vijojë të kryejë detyrat e shtëpisë që Shqipëria të jetë gati para PO-së së Brukselit. Dhe inteligjenca artificiale do të vijë në ndihmë për të përshpejtuar procesin e përafrimit të legjislacionit shumë më shpejt sesa e ka bërë Kroacia.
‘Kam informuar, me shumë krenari për hir të vërtetës, Samitin për modelin tonë të ri revolucionar, inovativ të Inteligjencës Artificiale me të cilin ne do të bëjmë ndërvendosjen e 3484 masave të organizmit ligjor të BE-së në legjislacionin tonë, të paktën duke qenë gati pastaj kjo do të jetë edhe pjesë e strategjisë sonë të procesit, por duke qenë gati me të gjithë malin e dokumentacionit, 5 vjet më shpejt sesa Kroacia, e cila mbahet mend nga të gjithë për një performancë shumë serioze dhe eficiente në këtë proces…
Modeli i parë ku procesit të ndërvendosjes së trupit ligjor të BE-së, acqui siç quhet ndryshe, në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë e ka kaluar me sukses testin dhe tani jemi në procesin e kolaudimit dhe do të fillojmë zbatimin me një shpejtësi që falë Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë digjitale është eksponencialisht më e lartë sesa rruga tradicionale. … Ne do të jemi gati për BE shumë më shpejt sesa BE të jetë gati për ne.
Në Bruksel ngriti zërin me presidenten e Kosovës për të hequr sanskionet e vendosura nga KiE.
“Kam bërë thirrje në këtë rast së bashku me presidenten e Kosovës që KiE të heqë menjëherë të gjitha masat shtrënguese apo sanksionet që iu imponuan Kosovës për arsye të njohura dhe të kuptueshme në atë kohë dhe ti japë Kosovës mbrapsht një vlerësim pozitiv për ndryshimin pozitiv të kursit të Kosovës në qasjen ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE”
Në konferencë krah kryeministrit ishte dhe ministri i Financave Ervin Mete i cili bëri të ditur rishikimin e buxhetit të vitit 2023. Rreth 285 mijë qytetarë të shtresave në nevojë do të marrin shpërblim për fund-vit në masën 5 mijë lekë.