Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e kësaj të premteje në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
E konfirmuar nga organet ligjzbatuese autor i ngjarjes është Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në korrik 2015 në tentativë për t’i grabitur.
Fillimisht Mjacaj ka ekzekutuar Arben Lleshit, si dhe plagosi dy të dënuarit e tjerë me burgim të përjetshëm, Ilir Xhakja dhe Indrit Shaqe.
Mesohet se pas vrasjes Mjacaj nën kërcënimin e armës ka shkuar në dhomën e takimeve, ku ka mbajtur peng dhe familjarë të të dënuarve.
Ai i ka bërë rezistencë policisë së burgjeve, ndërkohë që në momentin që ka parë RENEA-n ka hedhur armën e krimit dhe është dorëzuar për shkak të frikës së eliminimit fizik.
Veprimi i Sokol Mjacaj erdhi menjëherë pas njoftimit të ministrit Ulsi Manja, paraditen e kësaj të premteje, se ai do të futej në regjimin 41 bis.
Ende nuk dihet si ai mundi ta siguronte armën e krimit, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.
Dyshohet se Mjacaj mund të jetë paguar për kryerjen e eliminimit të Lleshi, pasi ky i fundit rezulton i dënuar për vrasjen dhe djegien e Agim Hoxhës në Britani.
Vrasja në Britani ka nisur një sagë hakmarrjeje mes dy familjeve, ku Arben Lleshit i janë vrarë babai dhe disa pjesëtarë të tjerë të familjes.