Një vrasje është shënuar sot (15 dhjetor 2023) brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit. Sokol Mjacaj, i cili vuan dënimin me burg përjetë për vrasjen e e dy turistëve çekë, 8 vjet më parë, ka vrarë Arben Lleshin ndërsa ka mbetur i plagosur dhe Indrit Shaqja. Edhe këta dy të fundit janë persona të dënuar me burg përjetë. Sokol Mjacaj ka dalë nga qelia e vetë, ka shkuar tek dritarja e qelisë së Arben Lleshit dhe Indrit Shaqjat dhe ka qëlluar ndaj të dyve.
Më pas u mësua se Arben LLeshaj ndërroi jetë në spital ndërsa Indrit Shaqja ndodhet i plagosur në spitalin e Peqinit.
Ende janë të paqarta shumë detaje ndërsa në njoftimin paraprak të Drejtorisë së Burgjeve të orës 14: 51 flitej për një konflikt mes tre te denuarve me burgim te përjetshëm.
Dyshohet se Sokol Mjacaj është paguar për të kryer vrasjen, ndërsa burime për Report Tv mësojnë se arma, tip pistoletë hyri në burg nëpërmjet një droni.Ndërkohë drejt burgut të Peqinit kanë shkuar forca policore për përforcime, si dhe drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
Sokol Mjacaj po merret në pyetje ndërsa para se të mësohej ngjarja ministria e Drejtësisë informoi se kishte urdhëruar futjen e Mjacajt në 41 Bis, pasi cenonte sigurinë në burgun e Peqinit.
Sokol Mjacaj ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit.