Kryeministri Edi Rama është i bindur se Gjykata Kushtetuese në Shqipëri do t’i hapë dritën jeshile marrëveshjes së nënshkruar prej tij për emigrantët, me homologen italiane Giorgia Meloni më 6 Nëntor në Romë.
Edi Rama: Kam besim të plotë sepse marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese. Afati maksimal është Marsi, por besoj se vendimi do të merret shumë më shpejt, pasi marrëveshja është shumë e rëndësishme dhe qeveritë duhet të dijnë nëse do të ecin përpara apo jo pa humbur kohe.
Duke folur në forumin politik rinor të përvitshëm të së djathtës ‘Atreju’ në Romë, Rama e konsideroi pezullimin, asgjë më shumë se çështje procedurale.
Edi Rama: Gjykata Kushtetuese bëri vetëm detyrën e saj, sepse Kushtetuta parashikon pezullimin automatik të një marrëveshjeje para ratifikimit në parlament. Kjo është një provë që tregon edhe se unë nuk i kam nën kontroll gjykatat në Shqipëri.
Rama sqaroi se veç Italisë, këtë marrëveshje nuk ka ndërmend ta nënshkruajë me asnjë qeveri tjetër europiane.
Edi Rama: Nuk do të pranoja kërkesa nga vende të tjera europiane. Kemi pasur kërkesa të ngjashme por kemi thënë “Jo”. Këtu ka një dallim, kur ramë dakord me Italinë, këtë e bëmë si në kuadër të një përpjekjeje të përbashkët jo si të ishim një vend i jashtëm ku mund të hidhej problemi. Ajo që Italia po përpiqet të bëjë është fakti që Italia nuk po zhvendos problemin, por po përpiqet ta zgjidhë. Sepse të gjithë këta persona nuk po lihen në det, apo siç thotë dikush në Guantanamo. Duhet të kemi respekt për Guantanamon.
Kjo deklaratë mund të merret edhe si një mesazh, për takimin që kryeministri Edi Rama dhe homologia Giorgia Meloni pritet të kenë po këtë të Shtunë në Romë me shefin e qeverisë britanike Rishi Sunak.
Marrëveshja për emigrantët me Italinë nuk u ratifikua në parlament pas pezullimit të Gjykatës Kushtetuese e cila do të nisë shqyrtimin për çështjen në themel në 18 Janar.