“Opozita e të drejtave të mohuara” është titulluar aksioni opozitar i protestës së sotme, e cila ka nisur organizimin që në seli të Partisë Demokratike me Sali Berishën që në orën 11:00 mbajti një deklaratë për shtyp, dhe më pas grumbullimin pak nga pak të protestuesve të parë për t’u zhvendosur më vonë në një marshim nga selia blu drejt kryesisë së Kuvendit.

Një grup modest demokratësh, sikurse e ka cilësuar ish-kryeministri Berisha, iu përgjigjën thirrjes për të protestuar kundër qeverisë Rama, të cilën e konsideron monodiktaturë ose regjim të krimit dhe drogës që vjedh qytetarët.

Në një kohë kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur për shqyrtimin e kërkesës së SPAK sa i përket dhënies së autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha; ish-kryeministri ka zgjedhur të mos shkojë për t’u mbrojtur në Komision, duke argumentuar se kjo do të nënkuptonte pranimin e poshtërimit publikisht të institucionit më të rëndësishëm të shtetit.

Me flamuj të PD-së në krah, militantë dhe deputetë mbështetës të Rithemelimit kanë shoqëruar ish-kryeministrin Berisha në marshimin simbolik. Me thirrjet “Rama Ik”, “Edi Rama, hajduti i zgjedhjeve” apo pankarta “Shqipërisë t’i dalim Zot”, protestuesit kanë mbërritur në ambientet e kryesisë së Kuvendit, të blinduar nga efektivë dhe mjete Policie.

Gazetarja e Top Channel, Doriana Bezat raporton se pavarësisht se nuk ka informacione për incidente, Policia ka ndërmarrë masa sipas një protokolli të caktuar për raste të tilla. Bulevardi Dëshmorët e Kombit është i lirë dhe ka bllokime vetëm përballë kryesisë së Kuvendit ku PD-ja e Rithemeluar ka vendosur një podium për të folur protestuesit.

Gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo e cila po ndjek nga afër zhvillimet e protestës, ka mundur të shkëpusë disa prononcime të qytetarëve që ndodhen sot në Tiranë në mbështetje të Berishës.

Pse ndodhesh sot në protestë?

“Për padrejtësitë që i bëhen popullit shqiptar. Këtu nuk ka shtet. Shteti është privat. Çdo zyrë është private”- tha një qytetar.

Nga keni ardhur? “Unë kam ardhur nga Hasi dhe do të qëndroj këtu në rrugë sa të jetë nevoja. Nuk ka rrugë tjetër o vdekje o liri”- përfundoi qytetari.

Credit Top channel