Dy ditë para se Kuvendi të mblidhet për të votuar dhënien e autorizimit të SPAK për arrestimin/heqje lirie të Sali Berishës, ky i fundit ndryshon qëndrim. Ndryshe nga sa ishte shprehur 1 jave më parë kur SPAK dorëzoi kërkesën në Kuvend, sot deklaron se nuk do ta njohë.
“Vendimi i parlamentit do të respektohet nga unë. Kushtetutshmëria kërkon që parlamenti të ndryshojë kushtetutën dhe të vendosë që mos të ketë mbrojtje për deputetët. Cilido të jetë vendimi i parlamentit do ta respektoj” deklaroi Berisha në 12 dhjetor 2023
Sot ish kryeministri në hetim për korrupsion për aferën Partizani thotë se nuk do ta njohë vendimin dhe se po vendoset në këtë situatë për arsye politike.
‘PD dhe opozita vendoset për motive kryekëput politike në një situatë në të cilën ndodhet partia opozitare në Mianmar, në Rusi dhe në Teheran. Por, siç rezistojnë opozitarët në Rusi, në Mianmar, në Iran, do rezistojë edhe PD në Shqipëri dhe ajo e tëra do angazhohet në betejën pa kthim për përmbysjen e narkodiktaturës. Për sa i përket qëndrimit tim, unë e kam bërë të qartë se përsëri nuk e njoh vendimin. Sepse ky vendim është një akt i turpshëm, një akt i neveritshëm i komisionit Basha-Brava. Po pse është i tillë? Unë këtu kam vendimin e gjykatës për Saimir Tahirin, e cila thotë se nuk mund t’i heqim pasaportën Tahirit, pa marrë lejen e parlamentit. Por ajo gjykatëse nuk ishte një vegël e verbër dhe nuk fshihej pas krimit të vet si Irena Gjoka, e shkarkuar nga Sali Berisha, sepse shkarkimi është akti. Shteti nuk është hakmarrës. Por shkarkimi është i mjaftueshëm që ajo të shkruajë se jam shkarkuar prej tij dhe nuk mund të trajtoj çështjen. Ky është ligji.’- tha Berisha.
Me 6 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Këshilli i Mandateve pranoi dje kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha. Përfundimisht Kuvendi do të vendosë në seancën plenare të 21 Dhjetorit, ndërsa SPAK e ka lënë të hapur edhe mbylljen në qeli të ish Berishës. Votave të mazhorancës iu bashkua Enkelejd Alibeaj, ndërsa socialistët thanë se askush nuk mund të sfidojë drejtësinë siç ka bërë ish-Kryeministri.