Ndërkohë që mbështetësve të tij që ishin mbledhur jashtë parlamentit për të protestuar, Berisha ju kërkoi të mobilizohen së bashku me strukturat e partisë për të vijuar betejën për rrëzimin e qeverisë.

“Është koha të bëhemi zëdhënës të atyre që duan të ngrihen o sot, o kurrë për veprim”, tha ai.

Ndërsa përpara selisë blu i garantoi mbështetësit se heqja e imunitetit nuk e zbeh aspak forcën e tij dhe të Partisë Demokratike.

“Forcë në botë që të mposhtë idealet e demokracisë nuk ka dhe nuk mund të ketë”, u shpreh ai.

Seanca e kësaj të enjte prodhoi të njëjtat pamje dhe situatë kaotike si ato të 2 muajve të fundit.

Gjatë seancës nuk munguan serish flakadanët shumëngjyrësh.

E ndërsa u hap me miratimin e autorizimit për SPAK-un, ato që mbyllen axhendën e kësaj seance ishin ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore të propozuara nga socialistët e të kundërshtuara me forcë nga opozita që i sheh ato si barrikadën e të drejtës së tyre kushtetuese për hetim parlamentar.

Kjo ishte seanca e fundit për këtë vit, sesioni i ardhshëm duhet javën e tretë të Janarit. Shpresat janë të pakta që kjo kohë do t’ju shërbejë palëve për të negociuar dhe për të rikthyer jetën normale parlamentare.

Vendimi i Kuvendit iu dërgua SPAK-ut dhe ky i fundit i propozon Gjykatës së Posaçme GJKKO një masë të re sigurie për Berishën, i cili refuzoi të plotësonte masën e mëparshme detyrim paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore.