Gjykata Kushtetuese nuk ka legjitimuar padinë e bërë nga Lulzim Basha përsa i përket marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Në 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese ktheu kërkesën e Lulzim Bashës për plotësim dokumentacioni, por pasi u dorëzua sërish në gjykatë, është vendosur që të mos legjitimohet dhe të mos merret në shqyrtim.

Në argumentin e dhënë për mos-legjitimimin e padisë së Bashës, Gjykata Kushtetuese nënvizon se çështja nuk është në interesin e subjektit “Partia Demokratike”.

“PD nuk legjitimohet t’i drejtohet gjykatës pasi nuk provohet interesi i saj i i drejtëpërdrejtë në çështjen e ngritur, në kuptimin që protokolli të ketë pasoja negative për statusin ose funksionet e saj, ndaj vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, që do të thotë se pretendimet e kushtetueses nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre”- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mes subjekteve që mund të dorëzojnë padi në GJK për një çështje të caktuar janë, kryeministri, presidenti dhe 1/5 e deputetëve. Në këtë rast, kërkesa e dorëzuar nga Lulzim Basha si kryetar i PD, nuk legjitimohet për shkak se marrëveshja nuk është në interesin e partisë politike.

Marrëveshja me Italinë u pezullua pasi Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e firmosur nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha të cilët e konsideruan si antikushtetuese.