Në përpjekjet për t’i shpëtuar autoriteteve ligjzbatuese grupet kriminale po bëhen gjithmonë e më të sofistikuara në përdorimin e teknologjisë në funksion të realizimit të qëllimit kriminal.
Pas nuk qëndrojnë edhe trafikantët e drogës, të cilët për gjurmimin e sasive të mëdha të kokainës, e cila kryesisht vjen nga vendet e Amerikës Latine, kanë përshtatur objekte teknologjikë, të përdorimit të përditshëm. Bëhet fjalë për gjurmues me “Bluetooth” që çdokush mund t’i ketë në përdorim për gjurmimin e sendeve personale si “AirTag” apo “SmartTag”, të cilat nuk kushtojnë më shumë se 30 euro.
Ato zakonisht lidhen pas një send me vlerë si çelësa, çanta, brenda në makinë dhe gjëra të tjera, e në rast humbje, gjurmimi bëhet përmes celularit në distanca që shkojnë deri në 10 metra. Kjo distancë është e mjaftueshme për të kërkuar jo vetën çantën, por edhe kokainën në rastet e trafikantëve.
Alarmi i përdorimit të tyre për efekte kriminale është dhënë nga EUROPOL, sipas të cilit, këto pajisje janë konstatuar në mënyrë të shtuar pas zbulimit të ngarkesave me drogë në kontejner në vitet e fundit.
Por, si funksionon skema e përdorimit të tyre në rastet e kokainës?
Një pajisje e tillë, e cila më herët është lidhur me celular vendoset pranë kokainës në vendin e origjinës ku niset në vendet latine, kryesisht Ekuador, Kolumbi, Brazil e më gjerë. Ngarkesa ‘udhëton’ drejt destinacionit final në Evropë me anijet e mallrave, kryesisht me banane, por jo vetëm. Pas mbërritjes në Evropë, në një nga portet tradicional ku më shumë kalohet kokainë, që mund të jetë në Spanjë, Holandë, Britani e Madhe, Belgjikë, por pse jo edhe në Portin e Durrësit në vendin tonë, pritësit e kokainës, me celularin në dorë afrohen te kontejnerët dhe fare thjesht bëhet gjurmimi, celulari jep sinjalin e gjetjes.
Kjo u jep mundësinë atyre të mos lënë shenja në kontejner, por të kontrollojnë gjithçka falë teknologjisë. EUROPOL ka kërkuar nga të gjitha vendet partnere që këto pajisje të trajtohen seriozisht dhe të mos neglizhohen në asnjë rast.