Rritja e fluksit të vizitorëve të huaj në Shqipëri ka bërë që nga viti në vit të rriten ndjeshëm investimet në sektorin e turizmit.

Një publikim i INSTAT zbulon se në vitin 2022, numri i njësive akomoduese shkoi në 1580, nga 1457 që ishin në 2021-in. Në një krahasim me shifrat e 10 viteve më parë, shihet se numri i hotelerive është më shumë se 2-fish.

Vetëm në vitin 2022 janë miratuar gjithsej 51 leje për ndërtim hotelesh, nga 33 të miratuara në 2021-in. Shumica e lejeve janë dhënë në qarkun e Korçës.

“Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtim hotelesh në vitin 2022 është rreth 199 mijë m2, duke shënuar një rritje prej 37,8% krahasuar me vitin 2021.”

Shtimi i kapaciteteve akomoduese reflektohet edhe tek numri i dhomave, që në një dekadë është 3- fishuar. Shumica e shtretërve në hotele, bujtina apo kampe shfrytëzohen nga turistët. Në 2022 erdhën në Shqipëri afërsisht 7.5 milion të huaj, ndërsa këtë vit shifrat po arrijnë objektivin prej 10 milionë turistësh.