Gazeta online “Greek City Times” raporton se kryetari bashkisë Himarë, Gjergj Goro ka dhënë dorëheqjen.
Kandidati Goro thuhet në artikull qëndroi në detyrë tek sa kundërshtari i tij Fredi Beleri është burg. Greek City Times duke mos cituar asnjë burim thotë se Zoti Goro dha dorëheqjen të shtunën.
Por si qëndron e vërteta?
Top Channel kontaktoi me krye-bashkiakun Goro. Pyetjes nëse ai ka dhënë dorëheqjen apo vijon të jetë në detyrë, dha këtë përgjigje: Nuk e kam dhënë. Vazhdoj detyrën.
Në median shqiptare ka patur raportime se Gjergj Goro e ka depozituar dorëheqjen në prefekturën Vlorë. Prefekti Vlorës Flamur Mamaj i tha Top Channel se “nëse zoti Goro do të kishte dhënë dorëheqjen atë nuk e bën në prefekturë por përpara këshillit bashkiak”.
Edhe prefekti Mamaj hodhi poshtë dorëheqjen e tij pas një telefonate që kishte zhvilluar me Goron paraditen e të Dielës.
Bashkia Himarë është kthyer në një mollë sherri mes Shqipërisë dhe Greqisë. Arrestimi kandidatit Fredi Beleri nën dyshim e shitblerjes së votave prodhoi përplasjen më të re në marrëdhëniet mes dy vendeve tona fqinje.
Greqia ngulmon me forcë në betimin e Fredi Belerit ndërsa qëndrimi i qeverisë shqiptare është se kjo është një çështje e drejtësisë.
Gjykata antikorrupsion pak ditë më parë rrëzoi kërkesën për betim të Fredi Belerit me argumentin se nuk plotëson kushtet për të lënë paraburgimin përkohësisht.
credit/Top channel