Gjykata e Posaçme ka shtyrë për nesër dhënien e vendimit për masën e ‘arrestit në shtëpi’ me mbikqyrje policore’ kërkuar nga SPAK për ish kryeministrin Sali Berisha i cili po hetohet për korrupsion pasiv lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit Partizani

Seanca e sotme (27 dhjetor 2023) e cila zgjati për 3 orë u mbajt me dyer të mbyllura dhe u shoqërua me përplasje mes avokatëve dhe dy prokurorëve të SPAK. Ndër të tjera avokatët paraqitën 2 kërkesa. E para kishte të bënte me ndërprerjen e seancës dhe dërgimin në Kushtetuese për intepretim, kërkesë e cila u rrëzua nga gjyqtarja Irena Gjoka. E dyta kishte të bënte me praninë e medias në seancë. Edhe kjo u rrëzua me argumentin se aktet për të cilat diskutohet përbëjnë sekret hetimor.

Pas kësaj avokatët paraqitën kërkesën e dytë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka duke bërë që seanca e dhënies së vendimit të shtyhet për nesër ora 15:00

Në përfundim të seancës avokati Genc Gjokutaj argumentoii kërkesat e paraqitura në seancë

“Faktet e kësaj dosjeje kanë dalë në media dhe është shuar kurioziteti për këto. Kërkuam që çështja të shkojë në Gjykatë Kushtetuese pasi kjo e fundit e ka lënë të pagjykuar në themel. Me autorizimin e Ramës dhe kësaj mazhorance, sipas atij autorizimi vazhdoi edhe gjyqi. Për gjithë këto shkelje, rrëzim kërkesash që bëri, në kërkuam për së dyti përjashtimin e gjyqtares për shkak se Berisha e ka shkarkuar. Ka rrëzuar kërkesat tona, pa u marrë vendimi për rrëzimin e kërkesës”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Avokati komentoi dhe kërkesën e SPAK për ruajtjen e Berishës në shtëpi  me mbikqyrje policore

“Nuk ka në Kod Penal asnjë dispozitë që të detyrojë gjykatën që të vendosë mbikëqyrje policore. E drejta e fjalës në cilësinë e liderit të opozitës. Gjykata duhet të vlerësojë cilësinë e personit. Nëse do veprojë me Berishën si vepron çdo ditë me trafikantë bën gabim të rëndë. Gjykatë e urdhëruar politikisht gjykatë e njëanshme. Unë skam pakënaqësi me gjykatën, atyre duhet t’iu vijë turp”, tha Gjokutaj.

Po sot më herët në GJKKO, gjyqtarja Rudina Palloi rrëzoi kërkesën e parë që avokatët mbrojtës të Berishës kishin bërë dje për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka me pretendimin se kishte konflikt interesi. 

Ndërkohë në një tjetër sallë gjyqi në GJKKO djali i ish kryeministrit,Shkëlzen Berisha dëshmoi në gjyqin për Fatmir Mediun i cili është marrë i pandehur për shperdorim detyre lidhur me tragjedinë 15 marsit 2008 në Gërdec  ku humbën jetën 26 persona. Edhe kjo dosje gjykohet nga gjyqtarja Irena Gjoka.