Gjykata e Posaçme ka dënuar me 3 vite burg ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla. GJKKO shpalli sot vendimin, ndërsa Alla dhe 8 persona të tjerë u gjetën fajtorë për akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tenderë dhe falsifikimit.
Ish-kreu i Bashkisë Bulqizë ka favorizuar të afërmin e tij, Aqif Konesha, duke i dhënë tenderin me vlerë 3 mln euro. Alla përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe përfundimisht do të vuajë 2 vite heqje lirie, si edhe i ndalohet që për 5 vite të ushtrojë funksione publike.
Lefter Alla, u arrestua më 15 mars 2023 bashkë me 12 persona të tjerë, për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre mbi dyshimet e abuzimit në një tender me vlerë 3 milionë euro.
Ai akuzohet se bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë favorizoi dy kompani gjatë procedurës së prokurimit publik me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Konesha. Kompanitë që dolën fituese të tenderit ishin ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’.