Sali Berisha është zyrtarisht në arrest shtëpie që pasi iu komunikua masa e sigurisë  nga oficerët e Policisë Gjyqësore këtë pasdite në shtëpinë e tij. Masë e arrestit do të shoqërohet me mbikëqyrje policore periodike dhe pengim të komunikimit me persona të tjerë.

Ndërsa Berisha tashmë është i detyruar të heshtë, sulmet ndaj drejtësisë pasi GJKKO pranoi ndryshimin e masës së sigurisë, i ka bërë i biri Shkëlzen Berisha dhe Rithemelimi të cilët i ka përdorur prej javësh në këtë betejë. Nga PD zyrtare dhe Gazment Bardhi ka rënë heshtja pas këtij vendimi.

Në një reagim të parë për masën e arrestit shtëpiak ndaj babait të tij, Shkëlzen Berisha, shkruan në rrjetet sociale:

“Kartolina e Rames per Vitin e Ri eshte arrestimi dhe izolimi i liderit te opozites!”

Luçiano Boçi akuzon prokurorët që hetojnë aferën e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”

Nënkryetari i Rithemelimit Luçiano Boci në një deklaratë nga selia, tha se masa e sotme ndaj Berishës është tentativë e Ramës për të goditur opozitën, por që sipas tij asgjë nuk do e ndalë reagimin e qytetarëve kundër regjimit sipas tij diktatorial.

“Me këto masa që shpalli sot Edi Rama ndaj Sali Berishës, që tejkalojnë në rrafshin e komunikimit dhe ato që Putini ka vendosur ndaj Navalnit, ai dhe mercenarët e tij dëshmojnë se ata i ka kapur tmerri nga humbja e kontrollit mbi opozitën dhe motoja e saj: O sot, o kurrë, në betejë pa kthim për përmbysjen e narkoregjimit të parë dhe të vetëm në Europë. me asnjë masë, me asnjë vendim Sali Berisha dhe kjo parti nuk mund të mposhten, por do vazhdojnë betejën e tyre pa kthim, kundër diktaturëssë Edi Ramës”.

Flamur Noka merr në mbrojtje Berishën në facebook

I konsideruar krahu i djathtë i Berishës, Flamur Noka e quan vendim politik të Edi Ramës masën e arrestit në shtëpi ndaj ish-kryeministrit

“Sot lideri i opozitës arrestohet e burgoset pa asnjë akuze, pa asnjë fakt e pa asnjë prove, thjesht sepse ne liri dhe ne aktivitet politik i kall datën Edi Ramës dhe bandës se pushtetit. SPAK dhe GJKKO pas këtij vendimi rikthyen Sigurimin e Shtetit”, shkruan Noka në një reagim në rrjetet sociale.

Deputeti Noka thotë se përgjigjja do të vijë përmes mosbindjes civile.

Jozefina Topalli: Ekzekutimi më brutal i opozitës

Kjo masë sigurie për ish kryeparlamentaren Jozefina Topalli është ekzekutimi i opozitës.

“Kur padrejtësia behet ligj, rezistenca behet detyre! Vendimi i sotem per arrestimin e Kryetarit te opozites , (sepse ky i fundit ka zbatuar programin e tij elektoral ) eshte ekzekutimi me brutal i opozites , ( qe sjell ne memorie ekzekutimin e grupit te deputeteve nga Enver Hoxha ne “46); Eshte mesazhi i tronditjes se besimit, se ne vendin tone do kete me pluralizem real apo shtet te se drejtes . Vendimi i sotem i gjykateses te larguar nga sistemi i drejtesise per korrupsion nga ish Presidenti Berisha , eshte ironia me e pabesueshme e gjithe ketij procesi te turpshem , te paster politik.”

Reagimi i Partisë së Lirisë, jo nga Meta

Kurse nga Partia e Lirisë Meta deri më tani ka heshtur, por një reagim e ka bërë Petrit Vasili.

“Rama e Veliaj vjedhin, Berisha arrestohet, drejtesia varroset! Drejtesia eshte vetvrare dhe vetevarrosuar tashme. Rama, Veliaj jane provuar me mijra prova si hajdute, jane neper zyrat me te larta te shtetit dhe bredhin rrugeve ndersa Berisha arrestohet. Mbi Ramen rendojne pergjegjesi shume te renda penale individuale dhe ai eshte akoma ne zyre, nuk eshte thirrur asnje sekonde nga SPAK”, thotë ai mes të tjerash.