GJKKO sapo ka shpallur vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për masën e re të kërkuar nga SPAK, arrest shtëpie me polic tek dera për Sali Berishën.

Vendimi do te ekzekutohet menjëherë nga ana e policisë. Në GJKKO ka dhe prani të efektivëve të cilët me të marrë vendimin e zbardhur do të nisen drejt banesë së ish kryeministrit

Ish-kryeministri do të ruhet me mbikëqyrje policore në banesën e tij,  dhe nuk lejohet të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që banojnë me të.

Mbrojtja e tij thuhet në kërkesën e SPAK, do të bëhet me punonjës policie të shtetit.

“Me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën rruga “Mustafa Matohiti”, duke u siguruar mbrojtja e tij me punonjës policie të shtetit si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”- thuhej në kërkesën e SPAK.

Prokurorët që po hetojnë Berishën për korrupsion pasiv në aferën “Partizani” kërkojnë që ish-kryeministri të ruhet edhe me polic në derën e shtëpisë e të ketë kontakt vetëm me personat që jetojnë me të në të njëjtën banesë.