Vrasja e liderit numër dy politik të Hamasit në kryeqytetin libanez, Bejrut, së bashku me 5 persona të tjerë, mes të cilëve dy komandantë të organizatës terroriste të Hamasit, ka rritur rrezikun për një konflikt të zgjeruar në Lindjen e Mesme.
Për të shmangur përshkallëzimin e situates, veçanërisht në Liban, aleatët perëndimor të SHBA dhe BE-së i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë përhapjen e konfliktit.
Në një kohë kur të gjitha format e negociatave mes Hamasit dhe Izraelit janë ndërprerë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin izraelit dhe anëtarin e kabinetit të luftës, Benny Gantz, pas së cilës ka deklaruar se “është thelbësore të shmanget përshkallëzimi dhe se Franca do të vazhdojë t’i transmetojë këto mesazhe tek të gjithë ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi”.
Nga ana tjetër, inteligjenca amerikane SHBA-së thotë se Hamas dhe grupet e tjera palestineze që luftojnë kundër izraelit po përdorin spitalin Al Shifa në Gaza si qendër komanduese të sulmeve.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar qartë deklaratat e dy ministrave ekstremistë të qeverisë Netanyahu – Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben Gvir – sipas të cilave palestinezët duhet të inkurajohen të emigrojnë nga Gaza dhe kolonët hebrenj duhet të kthehen në territorin e rrethuar, duke i cilësuar si ‘të papërgjegjshme’. Ndërkaq Sekretari i Shtetit Blinken ka shtyrë vizitën e tij në Izrael ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet sot.
Të paktën 1200 njerëz u vranë kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023 dhe rreth 240 të tjerë u morën peng. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 22,000 njerëz janë vrarë që kur Izraeli filloi fushatën e tij hakmarrëse.