Që nga viti 1996 Shkodra ka qenë qendra kryesore prodhuese dhe logjistike e prodhimit të veshjeve intime jashtë Italisë për kompaninë “Cotonella”, lider në tregun fqinje që tashmë është një marke e njohur ndërkombëtare.

Me rritjen e kostove të prodhimit në Shqipëri, nga nënçmimi i euros dhe paga minimale kompania italiane po tërheq një pjesë të prodhimit për t’u zhvendosur në Uzbekistan.

Zotëruesi i kompania “Albania Tricot”, Gjergj Leqejza që prodhon për “Cotonella” pohoi se “për të qenë konkurrues në treg dhe si rezultat i rritjes se çmimit fason, Cotonella spa ka vendosur të fillojë prodhimin në Uzbekistan”.  Prodhimi në Shqipëri do të vijojë po do të jetë më i kufizuar tha, Leqejza i cili lajmëroi tkurrje të aktivitetit dhe shkurtim të numrit të punonjësve gjatë këtij vitit që sapo ka nisur.

Në vitin 1996 “Cotonella” zgjodhi Shqipërinë për të ndërtuar fabrikën e parë të prodhimit jashtë Italisë. Më pas në vitin 2008 fabrika e prodhimit në Shkodër në Shqipëri përuroi një laborator modern të prerjes së pëlhurave dhe bëhet një qendër ndërkombëtare logjistike për të gjithë “Cotonella”.

Por teksa çmimet e prodhimit në Shqipëri ndryshuan nga rritja e pagës minimale dhe rënia e euros në një kohë që tregu italian shfaqi rënie të kërkesës për veshje intime nga kriza e inflacionit, drejtuesit e “Cotonella” vendosen të zhvendosnin prodhimin nga Shqipëria.

Mediat në Uzbekistan kanë raportuar se në mes të këtij viti  marka italiane e tekstilit “Cotonella” zgjedh Uzbekistanin për të lokalizuar produktet e saj. Drejtimi i kompanisë vendosi të hapë një fabrikë në rajonin Kashkadarya. “Cotonella” ka në plan të zhvendosë gradualisht prodhimin në Uzbekistan. Në fazën e parë pas fillimit të punës në fabrikë është planifikuar të prodhohen deri në 2 milionë copë trikotazh të gatshëm në vit, duke siguruar punë të përhershme deri në 80 persona. Më pas “Cotonella” synon të investojë rreth 5 milionë dollarë për të rritur prodhimin e produkteve në 8 milionë njësi në vit dhe synohen të hapen deri në 500 vende të reja pune të përhershme.

E themeluar në vitin 1972, kompania italiane e veshjeve “Cotonella” është një nga markat kryesore të brendshmeve për femra, meshkuj dhe fëmijë. Kompania prodhon më shumë se 20 milionë produkte në vit, të cilat shiten në 24 vende evropiane.

Sektori që punon me material porositësi po kalon një situatë të vështirë në vend për shkak të rritjes së kostove të prodhimit e të pagave dhe rënies së euros. Eksportet e tekstile e këpucë ranë me 5.8% për 11 mujorin 2023, ndërkohë që në nëntor u shënuar tkurrja më e thellë që nga pandemia, me 19%.  

credit/revista Monitor/