Kreu i qeverisë, Edi Rama ka njoftuar ndryshime në kabinetin qeveritar duke bërë me dije formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me ministër Blendi Gonxhen i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘X’, kryeministri shprehet se në fazën e re të zhvillimit ku ka hyrë vendit, duhet një koordinim ndërsektorial ku Kultura nuk mund të mbetet më një ministri e ndarë.
Me këtë vendim, shkrihet ministria e Kluturës me në krye Elva Margaritin. Sektori i ekonomisë hiqet nga ‘ministria e Financave dhe Ekonomisë’ që drejtohet nga Ervin Mete. Ky i fundit do të drejtojë ‘Ministrinë e Financave’. Me ndryshimin e fundit, Rama rikthen Inovacionin, sektori i cili gjatë mandatit 2013-2017 të qeverisë Rama ka qenë ministri më vete që drejtohej nga Milena Harito.
Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.
Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës.
* Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane.