Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur ndërprerjen e përllogaritjes dhe publikimit të normave TRIBID/TRIBOR nga data 1 gusht i vitit 2024.

TRIBOR, një tregues mbi të cilin llogaritet interesi për të gjithë ata persona që kanë marrë kredi apo depozituar para në monedhën Euro, nuk do të funksionojë më për shkak se – sipas Bankës së Shqipërisë – këto norma përllogariten bazuar në kuotimet e bankave dhe jo në veprime konkrete të tregut ndërbankar.

Ndryshimi i miratuar do të sjellë efekte mbi kontratat aktuale të kredive, të cilat janë nënshkruar duke e bazuar llogaritjen e normës së interesit në normën TRIBOR. Norma e interesit të kontratës së kredisë është një ndër kushtet thelbësore të kontratës, të dakordësuara në marrëdhënien kontraktuale dhe në rast ndryshimi të saj, nevojitet miratimi i palëve.

“Në zbatim të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, bankat tregtare kanë filluar njoftimin e klientëve të tyre, të cilët preken nga ky ndryshim për kontratat ekzistuese të kredive, të çmuara me normën TRIBOR. Në këtë kuadër, duke përfituar nga rasti, u bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj njoftimeve që vijnë nga bankat tregtare për ndryshimet në kontratën e tyre të kredisë, veçanërisht nëse kjo e fundit është vlerësuar me normën e interesit TRIBOR.

Për çdo rast, i inkurajojmë qytetarët të lexojnë me vëmendje kontratën e kredisë për të vlerësuar nëse preken nga ky ndryshim ose t’i drejtohen bankës së tyre tregtare për të marrë më shumë informacion, nëse është i nevojshëm zbatimi i ndryshimeve në kontratën e tyre të kredisë, bazuar mbi normën e përdorur“- thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.