SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim dosjen ndaj tre shtetasve italianë, sipërmarrësit 91 vjeçar Francesco Zummo, ekonomistit Fabio Petruzella dhe Daniele Cestagalli, broker financiar të cilët në bashkëpunim me biznesmenin e hidrokarbureve, Rezart Taçi, kunatin e tij Artur Ballën dhe badigardin, Bledar Lilo kishin organizuar një skeme komplekse financiare për pastrimin e 18.3 milionë eurove të ardhura të mafias siciliane Cosa Nostra.

Sipas dosjes hetimore sipërmarri nga Palermo – i cili është partner i dyshuar i kryebashkiakut mafioz, Vito Ciancimino, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Toto Riinës – në gusht 2021 transferoi paratë nga Zvicra në Shqipëri. Për këtë transferim fitimi ishte 16% e shumës, pra 3 mln euro.

“Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përfitimit monetar në masën 16 %, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vënde të tjera” thuhet në dosjen e SPAK

SPAK thotë se në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë proçedim penal është arritur në konkluzionin se të pandehurit Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, në bashkëpunim me shtetasit shqiptar Rezart Taçi, Artur Balla, Bledar Lilo të dërguar në gjykim më parë në kuadër të procedimit të lidhur kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal. 

Nga hetimet e mëparshme u mësua se skema e pastrimit të parave përmes transaksioneve bankare bëheshin në Shqipëri, Itali dhe Zvicër. Taçi dhe dy njerëzit e tij bashkëpunonin me italianët për pastrimin e 18 milionë eurove të Cosa Nostra-s

“Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qënë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Shuma monetare që përbën produkt të veprës penale është në masën prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro. Kjo shumë monetare është sekuestruar dhe tashmë është konfiskuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në gjykimin ndaj të bashkëpandehurve në procedimin e lidhur” informon më tej SPAK

Më 9 janar 2024 SPAK ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal. 

Taci në gjyq
Në GJKKO vijon gjyqi ndaj ish bosit të naftës Rezart Taçi i cili po gjykohet në mungesë, ndërsa po gjykohen nën masën arrest me burg kunati i tij Artur Balla e ish truproja e tij Bledar Lilo. Dy  të fundit, të besuarit e Taçit, u arrestuan më 12 nëntor 2021 kur dhe u zbulua skema dhe 18.3 mln eurot e mafias italiane “Cosa Nostra’ u bllokuan në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.