Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka mbajtur një deklaratë për media pasi nuk arriti të mbajë fjalimin e tij para deputetëve në sallë.

Begaj u shpreh se Kuvendit i duhet opozita dhe se palët duhet të bashkëpunojnë për të mirën e vendit.

Sipas tij seanca e sotme ishte një mundësi që deputetët të shënonin kthesën për situatën në parlament, ndërsa u bëri thirrje këtyre të fundit se duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët pa u penguar nga interesat partiake.

“Për çdo çelje sezoni gjeni mesazhin e presidentit, sot zgjodha të komunikoj drejtpërdrejtë me deputetët për shkak të rrethanave që sollën mbylljen e sesionit të kaluar. Këtë mesazh po e përcjell përmes mediave.

Kjo ishte një mundësi që deputetët të shënonin kthesën për situatën në parlament. Me përgjegjësinë madhore që mban detyra juaj, deputetët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të krijojnë një atmosferë ku dominon interesi kombëtar dhe dialogu mes palëve.

Pozita dhe opozita duhet të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Kuvendi është vendi ku ka diskutime konstruktive mes palëve dhe është hapësira e debateve ku të gjithë të kenë mundësinë të përfshihen dhe të dëgjohen. Kuvendi ka nevojë për opozitën, argumentet e saj dhe përballjen në debat me argumente.

Bashkëpunimi mes palëve ka mundësinë të çlirojë energjinë pozitive. Aty duhet të kultivohet shpresa për të ardhmen dhe demokracia”, tha Begaj.