Kompanitë fasone po mbyllin aktivitetin në vend. Humbjet e vazhdueshme po i detyrojnë të zhvendosen në vende të tjera, ndërsa lënë pas qindra punonjës në asistencë.

Kriza e zgjatur që buroi nga zhvlerësimi i euros, po detyron kompanitë fasone në vend të marrin vendime drastike.

Një pjesë e tyre kanë shkurtuar staf, duke çuar në asistencë dhjetëra-qindra punonjës, ndërsa të tjera po e zhvendosin aktivitetin.

Sipas shoqatës së eksportuesve, në vetëm pak ditë janë rreth një mijë punonjës që kanë mbetur pa punë, ndërsa të tjera kanë zgjedhur vende si Tunizia e Egjipti, aty ku kosto e prodhimit është më e lirë.

 Për shoqatën, kostot u rritën ndjeshëm në vend, kur euro nisi të humbë pikë përballë lekut dhe paga minimale u rrit dy herë. 

Qeveria nuk ndan të njëjtin mendim, teksa sheh aktivitetin në humbje të fasonëve dhe në vend të ndihmës direkte në sektor, sugjeron që punonjësit të kërkojnë punë, në sektorë të tjerë, si për shembull, turizmi, i cili sot për sot është në bum.

Industria e tekstileve e këpucëve, që punon me material porositësi është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, dhe të dhënat zyrtare tregojnë se për më shumë se 6 muaj në radhë, eksportet e tekstileve e këpucëve kanë rënë.