Gazment Bardhi e cilësoi një farsë Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërsa tha se mazhoranca po pengon opozitën të jetë pjesë e mbledhjes.

Pasi mbledhja u shty dhe socialistët lanë sallën, në një deklaratë për mediat, Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mban peng Reformën Zgjedhore.

“Në fakt, qëllimi i sotëm ishte t’i hidhnin hi sy qytetarëve se dëshirojnë Reformë Zgjedhore. Po të donin, do e kishin mbyllur brenda këtyre dy viteve. Sot, opozita nuk ka bllokuar Komisionin. Është mozhoranca që ka bllokuar opozitën, pasi ka qëllim të bllokojë Komisionin e Reformës Zgjedhore. Rama nuk do të bëjë zgjedhje të ndershme, prandaj nuk e lejon opozitën. Opozita do të marrë pjesë në Komision, por nuk po lejohet. Reforma Zgjedhore po  mbahet peng nga Edi Rama”.

Bardhi shtoi se “opozita e nxori Reformën Zgjedhore nga varri ku e kishte futur mazhoranca”.

“I kemi mbështetur për dy vite për ta çuar para Reformën. Ata e bllokuan punën e Komisionit për dy vite. Nëse ne nuk do të ngrinim zërin, sot Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk do të ishte fare temë. Do të ishte e varrosur, siç e kishin varrosur në harresë gjatë këtyre dy viteve”.