Lira Pipa është emëruar zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në vendimet e qeverisë, të publikuara këtë të mërkurë, njoftohet emërimi i zonjës Pipa.

Pipa ka përfunduar me rezultate të larta studimet Master në Marketing, pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Gjatë viteve 2016 – 2019, ka punuar si specialiste pranë Drejtorisë së Komunikimit Publik, në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Nga viti 2019, Lira Pipa iiu bashkua stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në pozicionin e Drejtorit të Kabinetit.

Në krye të strukturës së re qeverisëse, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, është emëruar Blendi Gonxhe.

Kryeministri Edi Rama këtë fillim viti njoftoi ndryshimin në kabinetin qeverisës duke larguar ministren e Kulturës Elva Margariti e zëvendësuar atë me Gonxhen, një prej ish-bashkëpunëtorëve të afërt kur drejtonte bashkinë Tiranë.

Këtë ndryshim kryeministri e komentoi si nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, duke krijuar një ministri të re, atë të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës.