Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit do të shpallet nesër në orën 9:00, pasi ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi ndryshimin e masës “arrest në shtëpi”.

“Shpallja e vendimit për S.B. u caktua për në datë 25.01.2024, në orën 09:00”, sipas njoftimit.

Seanca gjyqësore në Apelin e Posaçëm për ankimimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nisi sot në orën 9:00, ku avokatët kërkuan heqjen e masës së arrestit në shtëpi për ish-kryeministrin.

Dy ditë më pare Berisha u ankua në Gjykatën e Posaçme dhe përmes avokatëve kërkon që të rrëzohet vendimi i SPAK që nuk i dha leje të veçantë për të shkuar çdo të enjte në seancat parlamentare.

Ankimimi u dorëzua nga avokati i tij Sokol Mëngjesi. Avokatët sjellin një sërë kauzash, por më e rëndësishmja sipas tyre lidhet me një vendim të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Si shpjegim tjetër avokatët sjellin faktin që nuk ka ende një vendim për heqje mandati dhe se Berisha e gëzon ende statusin e deputetit.

Kujtojmë se një ditë më parë, Berisha kaloi për herë të parë pragun e Prokurorisë së Posaçme. Ai qëndroi më shumë se një orë e gjysmë para prokurorëve, ndërsa jashtë pritej nga dhjetëra deputetë e qytetarë mbështetës.

Berisha tha për mediat se do të shkojë në institucionet e drejtësisë sa herë që të thirret, ndërsa hodhi akuza ndaj SPAK.

Në kërkesën e dorëzuar më 15 janar, Berisha kërkoi nëpërmjet mbrojtjes që të lërë arrestin shtëpiak dhe të shkojë në parlament.

Nën arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023, ai kërkon që të përcaktohen edhe modalitet se si do të lëvizë nga banesa drejt sallës se seancave plenare si dhe kohën e nevojshme për të realizuar këtë lëvizje, vetëm për të marrë pjesë në sallën e seancave plenare ku zhvillon punimet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë theksohet ne dokument.