Në seancën e kësaj të mërkure (24 janar 2024)  për masakrën e Gërdecit radha për të dëshmuar ishte e zyrtarëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtarakë të cilët përcaktuan Gërdecin si vendin e demontimit dhe llojin e municionit.

Shkëlzen Madani, – ish drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2008, i dënuar për Gërdecin me 3 vite burg, – i pyetur për vendimin 550 të ministrit të Mbrojtjes mbi caktimin e vendit, edhe pse i pasigurtë fajin e kaloi te uniformat ushtarake, duke ia hequr këtë përgjegjësi ish shefit të tij Fatmir Mediu.

“Unë nuk di të them me siguri se kush e ka përcaktuar Gërdecin. Por nga memot që kam parë mund të them që vendi do të vendosej nga palët kontraktuese, domethënë Ushtria dhe firma private që do të merrej me demontimin. Di që më parë ishin përjashtuar edhe vende të tjera si Bërzhita. Kjo do të thotë se janë parë shumë reparte” dëshmoi Madani.

Në lidhje me faksin me emrin “Për Shkëlzenin” Madani pranoi se ky faks kishte mbërritur në zyrën e tij dhe më pas e kishte adresuar Drejtorisë Juridike të Ministrisë pasi nuk ishte në adresë të tij.

“Më erdhi dhe ia kalova drejtorise jurdike se nuk ishte për mua” është shprehur ai.

Madani është një nga bashkëtëpandehurit që ka pranuar të dëshmojë njësoj si Ylli Pinari seancën e kaluar. Në gjyqin e parë të Gërdecit në mars 2012 gjykata e Tiranës e pat dënuar me 3 vite burg dhe 300 mijë lek gjobë. 

Ish ushtaraku Zenon Fero, edhe ky i dënuar me 3 vite burg, për të cilat tha se ende nuk e kishte kuptuar pse i kishte bërë, tha para GJKKO se roli i tij ishte vetëm në përcaktimin e municioneve për demontim, për të cilat tha se ishin jashtë përdorimit.  I pranishëm në GJKKO si në të gjitha seancat e fundit, vetë ish Ministri i Mbrojtjes nën akuzë Fatmir Mediu, pas seancës tha se dëshmitë vërtetuan se ai s’ka pasur rol.

“Ky proces tregon se ministri i Mbrojtjes s’ka bërë asgjë tjetër veçse ka zbatuar ligjin. Nuk e di nëse do dëshmojë Luan Hoxha, shpresoj që të gjithë të vijnë të dëshmojnë dhe të flasin. Në inertes të zbardhjes së vërtetës të mbajë qëndrimin e vetë siç e mendon dhe si ka vepruar”

Seanca e radhës për ish ministrin e Mbrojtjes, të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve në Masakrën e Gërdecit më 15 mars të vitit 2008, është vendosur të mbahet më 7 shkurt. Në seancën e radhës janë të thirrur dhe Luan Hoxha, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm që ndodhet në Amerikë. Ende nuk dihet si do të merret dëshmia e tij.

Në seancën e mbajtur më 10 janar, dëshmitar ishte edhe ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari i dënuar me 15 vjet burg për masakrën e Gërdecit, i liruar pas 6 viteve në qeli, ia faturoi të gjithë përgjegjësinë Forcave të Armatosura. Ndërsa ish-ministri, Fatmir Mediu, i marrë i pandehur nga GJKKO për shpërdorim detyre në masakrën e Gërdecit ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, tha para gazetarëve se duhet të deklasifikohen raportet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen e Gërdecit, një javë pas tragjedisë. 

Ish ministri i Mbrojtjes doli nga gjyqi për Gërdecin mbajtur në GJKKO. Në një prononcim për median ftoi të gjithë të dëshmojnë për të thënë të vërtetën.

“Ministri i Mbrojtjes nuk ka bërë asgjë veçse ka zbatuar ligjin dhe detyrën. Shpresoj që të gjithë të vijnë të dëshmojnë e të flasin, në interes të zbardhjes së të vërtetës të dëshmojë për të thënë të vërtetën” tha Mediu

Seancën e radhës prokuroria ka thirrur Luan Hoxhën, ish shefi I shtabit të përgjithshëm që ndodhet në Amerikë. Ende nuk dihet si do të merret dëshmia e tij.