Në kuadër të operacionit policor të koduar “Lokacioni” janë arrestuar 4 persona, të cilët u kapën në flagrancë teksa shkëmbenin 2 qese plastike në parkingun e një qendre tregtare ne Tiranë, brenda së cilave kishte kanabis me peshë rreth 16.2 kilogramë.
Konkretisht, në pranga ranë: Demokrat Dylgjeri 32 vjeç, Haziz Zylfa 23 vjeç, Vladimir Kani 23 vjeç dhe Hyxhers Mete 23 vjeç. Gjatë kontrollit të banesës së Hyxhers Mete në Korçë, shërbimet e DVP Korçë gjetën dhe sekuestruan, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Policia njofton se në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 16.2 kg kanabis, 90 gramë kokainë, shuma parash dhe 5 celularë.
Personat e arrestuar, tregtonin dhe furnizonin me drogë grupe të tjera kriminale. Antidroga e Tiranës ka zhvilluar hetime për të paktën 5 muaj ku ka arritur që të gjejë prova dhe të organizojë operacionin për arrestimin e tyre.
Ata janë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe prej kohësh bashkëpunonin me njëri-tjetrin për drogërat e forta dhe të lehta. Të arrestuarit takoheshin në vende të ndryshme të populluara, duke shfrytëzuar edhe ambientet, si qendrat tregtare. Grupi kriminal ishte i sofistikuar dhe ruhej nga policia.
Kjo për faktin që në takimet e tyre përdornin automjete të shumta, në mënyrë që mos të udhëtonin me një mjet të vetëm. Demokrat Dylgjeri nga Elbasani figuron me precedent penalë, Vladimir Kani nga Fushë Kruja i dënuar më herët për drogë. Edhe personat e tjerë të arrestuar rezultojnë me precedentë penalë.
Po punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.