Deputeti Gazment Bardhi ka reaguar pas seancës së djeshme që zgjati vetëm 15 minuta, për shkak të skenarit të bllokimit. Bardhi hedh akuza se Kuvendi është kthyer në një institucion të Edi Ramës.

“Kuvendi po degradon në një institucion pa rregulla, në një institucion të Edi Ramës. Opozita dëshiron një kuvend tërësisht funksional. Kjo është arsyeja pse protestojmë, një Kuvend ku respektohet për atë që përfaqësojnë deputet e opozitës, ku opozita nuk pengohet të ushtrojë funksionet e saj, në një parlament ku deputetëve nuk u thuhet se 8 deputetë vlejnë me shumë se 50 të tjerë.

Nëse Rama ka marrë vendimin për të asgjësuar shtetin jam sot këtu për t’i kujtuar se do na ketë përballë, kur arroganca e pushtetit shtohet edhe rezistenca e çdo njeriu të lirë duhet të shtohet. Ne nuk bëjmë betejë për veten tonë, bëjmë betejë për qytetarët, parimet”, tha Bardhi.

Bardhi njoftoi se do çojnë në Kushtetuese ligjin për komisionet hetimore.

Gazment Bardhi thotë se do të kallëzojnë kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën për shpërdorim detyre pasi nuk ka lejuar deputetët e opozitës që të futen në Kuvend. Bardhi thotë se nuk mund të përjashtohen vetëm përse mbajnë pankarta në duar.  

“S’mund të përjashtosh deputetë vetëm se mbajnë pankarta në duar. Dje u penguan të gjithë deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë. Kryetarja e kuvendit sikur të mos kishte ndodhur asgjë nis seancën me gjysmën e sallës bosh duke marrë edhe autoren e kryerjes së asaj vepre penale. Do kallëzojmë Nikollën për shpërdorim detyre dhe kujtdo tjetër që ka shkelur ligjin duke penguar deputetët e opozitës në Kuvend”, tha Bardhi.

I pyetur nëse opozita do të votojë në Kuvend Amnistinë Penale pasi qeveria njoftoi se do të përfshinte edhe propozimet e opozitës për zgjerimin e personave përfitues, Gazment Bardhi tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë deri në momentin që parlamenti t’i rikthehet normalitetit.

Pavarësisht konsensusit për projektligjin e Amnistisë Penale, Bardhi tha se do duhet që fillimisht qeveria të përmbushë kërkesat e opozitës për komisionet hetimore në mënyrë që të ketë një konsensus të plotë për Amnistinë e të burgosurve.  

“Së pari, para se të shkojmë në votimin e ligjeve konsensuale ku Amnistia ka qenë e tillë, Parlamenti duhet t’i rikthehet normalitetit dhe kjo po pengohet nga refuzimi që mazhporanca bën ndaj kërkesave të opozitës. Ne e mbështesim Amnistinë Penale, ka qenë traditë e gjatë kur është votuar në mënyrë konsensuale, Por para se të shkojmë në këtë fazë, pra të bëjmë një konsensus të rremë, do duhet t’i rikthehemi shinave të kushtetutshmërisë. Ngritja e komisioneve hetimore është funksion kushtetues i Kuvendit”- tha Bardhi.