Deputetët e Bardhit dhe Berishës vijuan edhe sot skenarin e kaosit në Kuvend: Me zhurmues e bilbila. Deputeti Flamur Noka mbuloi me miell gardistët dhe sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit si ‘hakmarrje’ se nuk lanë të hynin 23 të përjashtuarit në seancë. Dash Sula hodhi euro e dollarë false drejt ministrave e deputetëve socialistë.

“Nuk ka parlament normal sot, derisa të plotësoni kushtet e opozitës! Harrojeni! tha Paloka nga foltorja e Kuvendit ndërsa aksionin e vijoi duke djegur me çakmak rregulloren.

Skenat u ndoqën në heshtje edhe nga Kryetari i PD-së Lulzim Basha. I ulur krah bashkëpunëtorit të ngushtë, Enkelejd Alibeaj dhe deputetëve të tij ishin në pritje të votimit të dy amendamenteve të propozuara prej tyre, atë sigurisë kombëtare dhe të rialokimit të 50 mln eurove ndihmë ushtarake për Kosovën.

Largimi i tij u shoqërua nga fishkëllima të deputetëve të ish grupit të tij por që tani janë pozicionuar krah Berishës, ndërsa Noka e quajti ‘tradhëtar’  

Në ngjashmëri me seancat e kaluara, socialistet kaluan me kartonat e veta pr/ligjet në rendin e ditës ndërsa rrëzuan dy amendamentet e Bashës. Votimi pr/ligji për lojrat e fatit u shty. 

Seanca zgjati vetëm 20 minuta. Flamur Noka mbylli aksionin duke goditur me vezë makinën e Taulant Ballës dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Genc Gjokutajt  në oborrin e Kuvendit. Ndërsa Bardhi tha se aksioni do vijojë pa caktuar një afat se deri kur do të përfundojë ky skenar apo nëse do të përshkallëzohet më tej.

“4 muaj që e quajmë rezistencë e do të vijojmë deri në momentin që kërkesat tona legjitime të zbatohem. Nuk duam favor por duam të zbatohet rregullorja e Kushtetuta” tha Bardhi.   

Deputetët e Bardhit dhe të Berishës e quajnë aksionin si formë e rezistencës së tyre për të miratuar kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe heqjen e Alibeajt dhe zëvendësimin me Oerd Bylykbashki si bashkëkryetar të komisionit të Reformës Zgjedhore. E megjithatë asnjë nga këto skenare nuk ka mundur të ndalë maxhorancën të votojë pikat e rendit të ditës të çdo seance. Madje ka bërë që PS t’i kalojë lehtë vetëm me ngritjen e kartonit. Pr/ ligjet janë kaluar pa debat dhe seancat prej 4 muajsh, qysh se ka nisur aksioni, janë tepër të shkurtra, disa minutëshe. 

Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj kreut të PD, Lulzim Bashës se është paraqitur në Kuvend herët, pasi ka zbatuar mesazhin e PS që të shkojnë që në orën 09:00.

“Grupi i PS kishte shpërndarë një mesazh që deputetët e mazhorancës duhet të paraqiten në seancë në orën 09:00. Ndjej keqardhje që disa deputetë me mandat opozitar i janë përgjigjur këtij urdhri të PS”, tha Bardhi.