Gjykata e Posaçme vendosi të rrëzojë kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend.
Mesohet se gjatë seancës me dyer të mbyllura avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha përpos sjelljes së praktikës së gjykatës së Strasburgut, kërkuan që Berisha të lejohet të shkojë në parlament pasi i rrezikohet mandati nëse nuk paraqitet për gjashtë muaj.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj e cilësoi vendimin e gjykatës si një ‘puç’ kushtetues e tha se është bërë me urdhër të Edi Ramës.
‘Ky është një puç kushtetues dhe u bë me urdhër të Edi Rama. Sali Berisha është deputet i Kuvendit është i zgjedhur dhe pjesëmarrjen e në seanca e ka detyrë funksionale. U shpjegua gjerë e gjatë veshëve që nuk dëgjojnë e sytë që nuk shikohej, ata do të fillojë punën e tyre ne tonën. Pa ndryshuar porosia e Ramës nuk ndryshon porosia gjykatës.’- tha Gjokutaj.
Në bazë të nenit 237, kodi procedura penal parashikon se ”Për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin”. Ashtu sikurse një i paraburgosur nuk mund të marrë pjesë në aktivitet jashtë burgut, logjikisht edhe Sali Berisha nuk mund të marrë pjesë ne seancat plenare në Kuvend, ndryshe nga sa vepronte nëse do të ishte me masën ‘detyrim paraqitje’ që i ishte caktuar më parë dhe që i lejonte çdo lloj aktiviteti, përveç daljes jashtë territorit shqiptar.
Ndërkohë për herë të katërt avokatët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit 2023, pasi është i dyshuar për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Për herë të parë ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në SPAK më 23 janar ku dhe iu përgjigj prokurorëve mbi dosjen Partizani.