Inflacioni është ulur gjatë muajit janar duke arritur nivelin 3.4%. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë janarit, çmimet ishin me gati 0.6% më të ulëta se në dhjetor, ndërsa ky është niveli më i ulët i shënuar i inflacionit, që prej nisjes së luftës në Ukrainë shkurtin e 2022-it.

Ulja e çmimeve të naftës ka qenë kontributori kryesor në zbutjen e inflacionit. Ndërkohë, ushqimet vijojnë të kryesojnë rritjen, ndërsa edhe grupi i qirasë ka pësuar rritje bashkë grupin e mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes së shtëpisë.

Nga nënproduktet, zarzavatet dhe frutat kanë vijuar të qëndrojnë në rritje dyshifrore, ndryshe nga një vit më parë kur rritja e tyre ishte modeste. Ndërkohë me ulje të fortë nga një vit më parë vijën çmimet bulmetit, vezëve dhe mishit.

Banka e Shqipërisë në vlerësimin e fundit që i bëri politikës së saj monetare u shpreh se një shtysë e re për inflacionin po vjen tanimë nga kërkesa e turistëve të huaj, ndërsa gjatë janarit statistikat tregojnë se erdhën gjysmë milioni vizitorë në vend.  Kjo ka ndikuar më së shumti tek çmimet e bar-restoranteve si dhe tek strukturat  akomoduese sipas statistikave të INSTAT.

Edhe pse janari ka nisur me çmime më të ulëta, banka e Shqipërisë ka ndryshuar parashikimet e saj dhe pret që inflacioni të kthehet në objektiv në fundin e këtij viti, jo gjatë mesit.