Pas bashkimit me Rithemelimin, Gazment Bardhi krah Flamur Nokës ka nisur takimet me bazën. Nga ndalesa e parë në qytetin e Shkodrës, i pyetur nga gazetarët nëse tashmë e njeh Sali Berishën si kryetar, Gazment Bardhi thotë se respekton vendimin e shumicës së anëtarëve.

“Kjo është e qartë në gjithë përgjigjet që kam dhënë. Sa kohë e kanë zgjedhur shumica e anëtarëve unë dhe cilido duhet të respektojë vullnetin e shumicës së anëtarëve të partisë”, tha Bardhi. 

Për Bardhin procesi i bashkimit ka ndodhur, ndërsa për grupin e deputetëve të Bashës thotë se po ndjekin rrugën e gabuar, ndërsa një ftesë ua bën për bashkim. Sipas tij çdo demokrat duhet të jetë në luftë me Edi Ramën dhe jo opozitën, ndërsa thotë se nëse zgjedhin rrugë tjetër nuk përfaqësojnë PD-në.

“Bashkimi ka ndodhur. Ka një pjesë të vogël të demokratëve që janë ende në rrugë të gabuar. Nga Shkodra i ftoj ti bashkohen PD, ti bashkohen betejës kundër Edi Ramës. Rruga e tyre për të qenë përballë opozitës dhe jo përballë Ramës është rrugë e gabuar që nuk e ndihmon Shqipërinë dhe popullin opozitar.

Ftesë për Bashën?

“Unë besoj se secili duhet të jetë në PD, nuk dua ti ndaj demokratët në grupime. Secili e ka vendin në PD, krah demokratëve përballë Ramës. Cilido zgjedh rrugë tjetër nuk përfaqëson PD”, tha Bardhi.

Bardhi iu përgjigj edhe deklaratës së kryedemokratit Lulzim Bashës se “nga SHBA, përfundoi poshtë Rrugës së Salës”, referuar protestave poshtë banesës së Sali Berishës, që ndodhet në arrest shtëpie.

“Asnjë përgjigje, nuk kam kohë për të humbur me batuta pa asnjë vlerë. Unë jam aty ku janë demokratët“, tha Bardhi për mediat.

Për Bardhin, turi i takimeve me bazën ka nisur nga Shkodra, të cilën e cilëson si një ‘simbol’ të sulmeve të vazhdueshme nga qeveria, që sipas tij ka deformuar edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku për herë të parë kjo bashki u fitua nga socialistët.

“Për simbolin që përfaqëson, por edhe dega PD e Shkodrës që ka qenë pjesë e një sulmi të vazhdueshëm nga qeveria dhe grupet kriminale derisa arritën të deformojnë edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet lokale. Nuk kishte alternativë tjetër për të nisur këtë tur të bashkimit të demokratëve në bazë, pas bashkimit të lidershipit drejtues të PD”, u shpreh Bardhi për mediat.

Bashkë me deputetët e këtij qarku, Noka e Bardhi do të zhvillojnë takime me strukturat e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës. Turi do të vijojë më pas në Elbasan e Korçë. Në këto takime, që në dukje i ngjajnë një fushate bashkimi, do të diskutohet aksioni jashtë-parlamentit, siç është protesta e 20 shkurtit të cilët tanimë do t’i bashkohen edhe deputetët e Gazment Bardhit.