16 vite më parë, në një sallë të mbushur plot, nga e cila ishin drejtuar sytë e miliona shqiptarëve në çdo cep të trojeve shqiptare por edhe të globit, u shqiptuan fjalë që bartnin ëndrra dhe sakrifice heronjsh nder shekuj: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe demokratik!
Më 17 shkurt të vitit 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur. Kjo ëndërr ka 16 vite që po jetohet çdo ditë. Por, ai që shqiptoi deklaratën e pavarësisë, kryeministri Hashim Thaçi dhe 3 të tjerët, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, sot ndodhen në paraburgim në Hagë.
Ky përvjetor do të përcillet me shumë aktivitete, ndërsa në 12:00 Kuvendi do të mbajë një seancë solemne.
Shpallja e Pavarësisë ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin. Ndërkohë, në të gjithë botën Kosova është njohur nga 117 shtete. Tani më Kosova ka arritur edhe liberalizimin e vizave, ku qytetarët mund të lëvizin të lirë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje me rastin e Ditës së Pavarësisë. Në fjalën e tij, Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është “shtëpia e përbashkët”, që u ndërtua me mbështetjen e aleatëve.
Kurti tha se shteti po zhvillohet pavarësisht sfidave me të cilat po përballet.
“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tanë. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet”, tha Kurti.
Kurti uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë, ndërsa theksoi se Kosova ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.
“Ashtu sikurse ditën kur u shpall, 16 vite më parë, ashtu edhe sot si dhe cdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Andaj sot festojmë e urojmë e përgëzojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet joshumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazëzët, kroatët etj”, shtoi Kurti.