Teksa protesta kombëtare e Partisë Demokratike pritet të mbahet pasditen e sotme, protestuesit kanë nisur të mblidhen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Me flamuj me simbolin e PD-së në duar, por edhe me pankarta ku shkruhet “Lironi liderin e opozitës”, qytetarët presin nga momenti në moment që të nisë protesta.
Opozita do të protestojë para godinës së Kryeministrisë, ku është ngritur dhe një foltore që të rinj të FRPD-së, por edhe deputetët demokratë të mbajnë fjalim.
Gjithashtu pritet edhe një komunikim online nga ana e Sali Berishës. Kryedemokrati mungon për herë të parë në një protestë të thirrur nga PD.
Nga ana e organizatorëve është thënë që do të jetë një protestë paqësore, megjithatë për mbarëvajtjen e saj do të jenë rreth 1 mijë e 100 efektivë të policisë në terren. Po ashtu, është blinduar edhe hyrja e Kryeministrisë për të shmangur çdo tentativë të protestuesve për të përshkallëzuar protestën.
Për këtë protestë, ka pasur një angazhim të aleatëve, por pritet të mungojë kreu i PL-së, Ilir Meta për shkak të një axhende jashtë shtetit.