Hetimet e thelluara të kryera për të zbardhur një rast të transportimit të kundërligjshëm të 16 emigrantëve, identifikojnë 2 autorë të tjerë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
Policia vë në pranga njërin prej vëllezërve të akuzuar dhe po punon për kapjen e tjetrit.
Ky rast u godit nga Policia e Gjirokastrës, më datë 10.03.2022, ndërsa një shtetas tjetër i implikuar në të, u vu në pranga më datë 05.05.2022.
Si rezultat i hetimeve të ndjekura nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër dhe të veprimeve të tjera operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për të zbardhur autorësinë e një rasti të transportimit të emigrantëve, kundrejt pagesave (rast i goditur nga Policia e Gjirokastrës, më datë 10.03.2022, në kuadër të operacionit “Road Guard”), shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër vunë në pranga shtetasin B. Q., 32 vjeç dhe shpallën në kërkim shtetasin K. Q., 31 vjeç, vëllezër, të dy banues në Tepelenë.
Këta 2 shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin S. S. (të arrestuar më datë 05.05.2022), më datë 10.03.2022, në vendin e quajtur “Virua”, kanë braktisur furgonin me të cilin transportonin kundrejt pagesave, 16 emigrantë nga Vendet e Treta, në mënyrë që ata të kalonin ilegalisht kufijtë.
Punohet për lokalizimin dhe ndalimin e 31-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.