Ura e Viroit do t’i nënshtrohet ndërtimit nga e para si pjesë e projektit që qeveria shqiptare ka me Bankën Botërore ku kjo e fundit ka vënë në dispozicion 100 milionë dollar për një projekt të dedikuar për urat. Pak ditë më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se po pret tashmë ofertat e mbyllura nga kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurruese duke lënë si afat të fundit datën 20 mars. Në një dokument teknik të publikuar më herët ARRSH nënvizonte se zona, ku propozohet të bëhet objekti, është e pozicionuar në veri në raport me qendrën e qytetit të Gjirokastrës, duke qenë një segment i rrugës nacionale Gjirokastër- Tepelenë. Objekti bën pjesë në territorin e administruar nga Bashkia e Gjirokastrës.

“Projekti i zbatimit parashikon që e gjithë gjurma të kalojë paralel me rrugën ekzistuese, në anë lindore të saj (nga ana e lumit Drino), duke lenë në funksionim urën ekzistuese si shëtitore panoramike përreth liqenit”,thuhej në raportin teknik.

Projekti parashikon edhe kalimin nga një rrugë e kategorisë C në C2 me gjerësi të korsive 2x 3.5 metra. Nga ana tjetër kërkohet që objekti i ri të garantojë mos përmbytjen nga vërshimet e ujërave me siguri të përshtatshme për këtë kategori rruge. Projekti për urat nisi të negociohej pak vite më parë me Bankën Botërore duke pasur parasysh nevojat dhe emergjencën për ndërhyrje në disa vepra të kësaj natyre në gjithë vendin. Dokumenti i projektit i asaj kohe specifikonte se ishin 80 ura me përparësi (me një fluks trafikut prej 100 deri në 2500 mjete në ditë) dhe kanale nën rrugë do të kërkojnë ndërhyrje brenda shtatë viteve të ardhshme.

“Urat dhe kanalet nën rrugë prioritare do të jenë së pari ato me rëndësi më të lartë socio-ekonomike për shkak të vendndodhjes së tyre përgjatë korridoreve ekonomike kryesore apo që bëjnë lidhjen e popullatës në nevojë me shërbimet publike, vendet e punës apo qendrat e tregut. Së dyti do të jenë urat ku ka dobësi dhe risk për shkak të kushteve të tyre të përkeqësuar strukturore apo që ndodhen në zona që janë të përfshira herë pas here nga fatkeqësitë natyrore apo ndryshimeve klimatike. Së treti do të jenë edhe ato ura që mund të duan ndërhyrje të menjëhershme në harkun kohor të shtatë viteve kur do të jetë në zbatim projekti”, thuhej në raportin e Bankës./

/Revista Monitor/