Gjirokastër/Menjëherë pas sinjalizimit, Policia ndërhyn për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një rasti dhune në familje.

Vihet në pranga 43-vjeçari që dhunonte bashkëshorten, në prezencë të vajzës së tyre të mitur.

Ky shtetas gjithashtu kundërshtoi me forcë, efektivët e Policisë, gjatë shoqërimit.

Sapo janë njoftuar për një rast të dhunës në një familje që banonte në lagjen “Pllakë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në banesë, për të arrestuar shtetasin përgjegjës dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Menjëherë u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi S. Xh., 43 vjeç, banues në Gjirokastër.

43-vjeçari dhunonte bashkëshorten në prezencë të vajzës së tyre 13 vjeçe dhe gjatë shoqërimit, kundërshtoi me forcë, punonjësit e Policisë.

Gjithashtu Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër shpallën në kërkim shtetasin A. A., 30 vjeç, banues në Patos, pasi ditën e djeshme, ka kallëzuar shtetasja L. Z., se 30-vjeçari më datë 23.02.2024, i ka vjedhur në banesë disa bizhuteri floriri. Punohet për kapjen e 30-vjeçarit dhe për verifikimin e këtij kallëzimi.

U referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për një 13-vjeçar dhe për një 15-vjeçar, të dy banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se më datë 23.02.2024, kanë vjedhur 1 celular dhe për dy të mitur të tjerë banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se kanë vjedhur disa vegla për punë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.