Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë sërish seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili kërkon heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi. Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka ka shtyrë seancën me argumentin se ish-kryeministri nuk e ka specifikuar në prokurë që të përfaqësohet nga avokatët. Seanca e radhës është caktuar më 8 mars.

Avokatët thonë se kanë paraqitur sërish një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka.

Avokati Gjokutaj: Gjykata nuk pranoi ankimimin tonë, ka qëllim djegien e mandatit të deputetit

“Ka disa shkaqe, që në seancën tjetër, do t’ua bëjmë me dije. Kjo është një nga shkaqet, por ka edhe të tjera. Duhet t’i drejtohemi njëherë gjykatës. Kërkesa për përjashtimin e Irena Gjokës, është e bashkëlidhur”.

Në GJKKO do mbahet edhe një seancë për dhëndrin, Jamarbër Malltezi, i cili kërkon po ashtu heqjen e masës arrest në shtëpi. Seanca pritet të nisë rreth orës 12:00.

Ndërkohë, të martën në orën 10:50 një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj e Sandër Simoni do të gjykojë pretendimin e Berishës për të shuar masat e para të sigurisë ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Ndërsa po nesër në Gjykatën e Lartë pritet të shqyrtohet rekursi i SPAK, që kërkon kthimin e Malltezit në qeli.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK, për korrupsion së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.