Shqipëria do të jetë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, ITB Berlin, që zhvillohet nga data 5 deri më 7 Mars në Gjermani.

Në këtë panair, Shqipëria do të prezantohet me një hapësirë kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike që do të prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin.

E pranishme do të jetë Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka quajtur një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë dhe përgatitje për vitin 2025, ku Shqipëria do të jetë zyrtarisht “Vendi i Nderit” në ITB Berlin, duke përfituar nga një program 1-vjeçar promovimi.

Gjithashtu pjesë e këtij panairi do të jenë edhe bashkitë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë të cilat do të prezantojnë programet e tyre  të dedikuara të promovimit.

ITB Berlin operon suksesshëm prej vitit 1966, duke qenë panairi më i madh në botë i Turizmit në botë. Shqipëria gjatë vitit të shkuar ka përjetuar vitin më të mirë historik në turizëm ku shënojë mbi 10 milionë turistë, ndërkohë që pritshmëritë për 2024 janë që të vinë mbi 13 milionë turistë të huaj.