Nesër besimtarët myslimanë në mbarë botën nisin muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjatë këtij muajit të bekuar (30 ditë), besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, një nga 5 kushtet e islamit.

Dita e parë e Ramazanit është më 11 mars, ku koha e syfyrit për vendin tonë përkon në orën 04:23, ndërsa iftari në orën 17:49. Dita e fundit e Ramazanit është më 9 prill, ndërkaq Fitër Bajrami festohet më 10 prill.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka ndarë një mesazh urimi për ditën më të rëndësishme të myslimanëve.  Ai thotë se ky është muaji i solidaritetit dhe dhënies së lëmoshës, ndërsa nuk harron as luftën. Spahiu u shpreh se lutjet shkojnë që të arrihet sa më shpejt paqja në Ukrainë e në Rripin e Gazës. 

“E lusim zotin që të na mundësojë që të dalim të falur në fund të këtij muaji, të na bëjë paqe e begati, që të arrihet sa më parë paqja mes palëve në Gaza, Ukrainë dhe në çdo vend ku ka konflikte dhe njerëzit që gjejnë qetësinë e merituar dhe të kalojnë një Ramazan të Begatë”, thotë Spahiu.

Një mesazh e patën edhe myftiu i Shkodrës dhe Korçës për besimtarët myslimanë, të cilët fokusin e vendosën edhe tek familjet në nevojë, të cilave duhet t’u qëndrojmë pranë sidomos në këto ditë.  

“Të nderuar besimtarë, mos të harrojmë gjatë këtyre ditëve edhe ata të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë. Në iftaret tona të përvitshme të mos mungojnë familjet në nevojë dhe shtrimi i iftareve për ta”, tha myftiu i Korçës Ledian Cikalleshi.

“Muaji i Ramazanit është muaji i begatisë, i mëshirës, i faljes, i pranimit të lutjeve, i pendimit të sinqertë, i vrapimit për të dhënë e për të marrë me njëri tjetrin, për të falë e për të mëshiruar, për të ndihmuar nevojtarët, për të shtrirë dorën e pajtimit me gjithë njerëzit”, tha Myftiut i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari.

Për muajin e Shenjtë të Ramazanit nuk mungojnë as urimet nga politika.

Muaji i Ramazanit

Ramazani është muaji më i rëndësishëm për të gjithë myslimanët. Çdo besimtar e pret me gëzim Ramazanin, duke shpresuar në mëshirën dhe faljen e Allahut. Është koha kur zakonet dhe detyrimet tona jetësore ua nënshtrojmë momenteve kur fillojmë agjërimin dhe kur bëjmë iftarin.

Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor Islam, zgjat nga 29 ose 30 ditë dhe ku gjatë kësaj periudhe kohe besimtarit mysliman në nderim të krijuesit i duhet të argjërojë nga agimi deri në lindje të dielli, duke shmangur ushqimin, lëngjet dhe çdo sjellje negative të njeriut.

Myslimanët në gjithë botën agjërojnë dhe nuk u lejohet të konsumojnë asgjë derisa dielli të perëndojë. Ramazani konsiderohet si periudha ku trupi dhe shpirti pastrohet.  Çdo vit për Ramazan, miliona myslimanë në të gjithë botën agjërojnë 30 ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Përveç pastrimit të shpirtit, agjërimi mbahet për tu solidarizuar me të varfrit, për të ndarë ushqimin me to. Gjatë Ramazanit, besimtarët kërkojnë falje për mëkatet, luten për ndihmë ndaj të këqijave dhe përpiqen të pastrohen nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira.