Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të Rithemelimit nuk ka qenë aspak e qetë, megjithëse në Kuvend pak minuta më vonë do të mblidhej Konferenca e Kryetarëve që do të “noterizonte” paktin me PS-në për ngritjen e komisioneve hetimore.
Fillimisht ka qenë përplasja gati fizike mes deputetëve Tritan Shehu dhe Bledion Nallbati, të cilët nuk binin dakord për mënyrën se si duhet të vijojë aksioni opozitar. Por nuk ka mbetur me kaq.
Ndërkohë Ervin Salianji ka kërkuar shpjegime nga Gazment Bardhi se çfarë fiton Rithemelimi nga këto negociata. Bardhi mësohet të ketë thënë se Rithemelimi ka fituar pikërisht atë që ka kërkuar këtë periudhë, ngritjen e komisioneve hetimore dhe marrjen e kontrollit për reformën zgjedhore duke lënë mënjanë Enkelejd Alibeajn.
Ndërsa deputeti Luan Baçi ka pyetur nëse ish-kryeministri Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej më shumë se dy muajsh, është apo jo në dijeni të negociatave dhe atyre që ka kërkuar Rithemelimi.
Përgjigjja e Bardhit ka qenë “jam konsultuar me ish-kryeministrin Berisha dhe ai është në dijeni të gjithçkaje”.