Mbi 4 mijë kontrata janë lidhur gjatë vitit të kaluar nga institucionet në vend, për mallra, shërbime e punë publike. Sipas raporteve vjet edhe pse ka pasur më pak tendera të fituara, janë rritur ankesat nga kompanitë private kryesisht për vlerësimin e ofertave që kanë bërë.
Më shumë se 1 miliardë euro është vlera e tenderave të nënshkruara gjatë vitit të kaluar. Referuar raportit vjetor të Agjencisë së Prokurimit Publik, vjet janë lidhur 4007 kontrata për shërbime, mallra apo punë publike. Ndërsa në vitin 2022 janë lidhur 4,507 kontrata me vlerë 134,3 miliardë lekë.
Për kontratat që kanë një fitues, fondi limit i përcaktuar nga autoritetet kontraktore ka qenë në vlerën 125,6 miliardë lekë, por kompanitë që kanë marrë pjesë në garë kanë ofruar 111.7 miliardë lekë.
“Sa i takon kursimit, gjatë vitit 2023, konstatohet fakti se vlera totale e kursyer e procedurave të fituara ndaj fondit total limit shprehur në përqindje është 15% dhe krahasuar me vitin e kaluar kjo vlerë është domethënëse më e lartë se në vitin 2022 (ku kjo vlerë ishte 8.4%) gjë që tregon rritje të efektivitetit në përdorimin e fondeve publike” thuhet në analizën e APP-së.
Në total vjet janë hapur 5250 tendera me një fond limit 134.3 miliardë lekë, nga këto 1396 procedura janë anuluar sipas raportit. Ndërkohë peshën më të madhe të tenderave të hapura e mbajnë tenderat e mallrave, ndjekur nga shërbimet dhe më pas punët publike.
Vjet ka pasur më shumë ankesa se në vitin 2022 pavarësisht se janë lidhur më pak kontrata për tenderat e zhvilluara. Sipas të dhënave nga Komisioni i Prokurimit Publik në vitin 2023 janë shqyrtuar 871 ankesa nga kompanitë për tenderat e hapura, për të cilat ky institucion ka marrë në total 851 vendime, ndërkohë që 21 prej tyre janë ankimuar në Gjykatë.
Shumica e ankesave ka qenë për vlerësimin e ofertave, për këtë kriter janë bërë 518 ankesa, dhe pjesa tjetër janë për dokumentet e tenderit me 351 ankesa, për shkak se kompanitë pjesëmarrëse në gara kanë vlerësuar se dokumentet kanë pasur probleme.
Kurse në vitin 2022, u regjistruan 794 ankesa në total nga të cilat 478 ishin për vlerësimin e ofertave, 300 për dokumentet e tenderit dhe 15 ankesa për shkaqe të tjera.