Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni 1”.

U kapën në flagrancë duke transportuar, kundrejt fitimit, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 2 celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, Sektorin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informaciove të siguruara në rrugë policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni 1”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

N. N., 36 vjeç, banues në Krujë dhe E. C., 30 vjeç, banues në Lezhë.

Shtetasi N. N. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në dalje të qytetit të Këlcyrës, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, kundrejt fitimit, 4 emigrantë nga vendet MENA, nga Hani i Hotit, Shkodër, në drejtim të pikës së kalimit kufitar “Tre Urat”, Përmet, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, si dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për kontroll, por braktisi automjetin dhe u largua.

Shtetasit E. C. dyshohet se qarkullonte me automjetin tip “Toyota”, për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar shtetasin N. N., për prezencë të shërbimeve të Policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet dhe 2 celularë.

Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.