Ekonomia e vendit ka përfituar 4.1 miliardë euro vetëm nga sektori i turizmit në vitin 2023. Mbi 10.1 milionë turistë të huaj që vizituan Shqipërinë vjet, kanë shpenzuar në vend 1.3 miliardë euro më shumë se vitin 2022, kohë kur ekonomia regjistroi 2.8 miliardë euro nga turizmi. 

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë në shifra rekord janë edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit. Në total vjet në destinacionet ku pushuan shqiptarët kanë shpenzuar 2.3 miliardë euro, nga 1.7 miliardë euro që harxhuan në vitin 2022. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2023, të huajt kanë shpenzuar në vend 958 milionë euro, duke dëshmuar për një turizëm gjithë vjetor dhe jo vetëm sezonal në verë.

“Gjatë tremujorit të katërt 2023, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 958 milionë euro. Nga ana tjetër, udhëtarët rezidentë kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 582 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Të ardhurat do të ishin edhe më të larta nëse sektori i turizmit në vend do të ishte i formalizuar, duke marrë në konsideratë faktin se mbi 4500 struktura akomoduese vjet ushtruan aktivitetin në mënyrë të paligjshme pasi ishin të pa regjistruara dhe s’kishin certifikim, duke bërë që fitimet reale të ekonomisë të jenë të cunguara dhe më të ulëta.

Por me ndryshimet që ka pësuar ligji për turizmin, duke rritur gjobat për ata që nuk regjistrohen apo për ata që nuk deklarojnë shifrat e turistëve, pritet të rriten edhe të ardhurat. Po ashtu përgjatë këtij viti pritet tu caktohet edhe referencë hoteleve për kapacitetin minimal të shfrytëzimit të tyre, kjo si një masë për të reduktuar nën deklarimin e numrit të pushuesve.

Ndërkohë të dhënat e INSTAT flasin për një ecuri pozitive të turizmit edhe në muajit e parë të këtij vit, pasi në janar dhe në shkurt në vend kanë hyrë 970 mijë të huaj nga 686 mijë që erdhën vjet në të njëjtën periudhë.

SHPENZIMET E SHQIPTARËVE JASHTË VENDIT
Janar-Shtator 2022                   1,771 mln euro
Janar-Shtator 2023                   2,335 mln euro
Rritja                                         +564 mln euro

SHPENZIMET E TURISTËVE NË SHQIPËRI
Viti 2019       2,083 mln euro
Viti 2020          989 mln euro
Viti 2021        1,912 mln euro    
Viti 2022        2,840 mln euro
Viti  2023       4,173 mln euro