Grupet kriminale që merren me transportin e kokainës kanë qenë kryefjala e një raporti të publikuar së fundmi nga Europol. Sipas këtij raporti në Europë operojnë rreth 821 grupe kriminale shumica prej tyre të përfshira në trafik narkotikësh. 

Shqiptarët hyjnë në listën e pesë rrjeteve kryesore kriminale të trafikut të kokainës në Europë, bashkë me belgët, holandezët, italianët dhe spanjollët. Po ashtu ata shfaqen mjaft aktiv dhe bashkëpunues me grupe të tjera kriminale për trafikun e kanabisit dhe heroinës.

Grupet kriminale shqiptare sipas Europol ka kapërcyer kufijtë e Europës duke lidhur kontakte të drejtpërdrejta me vendet e origjinës si Brazili, Kolumbia, Ekuadori. Raporti ka zbërthyer edhe strategjitë e përdorura nga rrjetet kriminale për trafikun e drogës. Në një rast përmendet një shqiptar i cili siguron transportin e kokainës nga Kolumbi dhe shpërndarjen e mëtejshme në Europë duke e fshehur në banane.

Shqetësues mbetet fakti i investimit në biznese të ligjshme të parave të ardhura nga krimi.

Një tjetër vepër penale ku shfaqen aktiv shqiptarët janë mashtrimet. Rrjetet kriminale i joshin viktimat në lloje të ndryshme të skemave të mashtrimit në internet, kryesisht në mashtrime investimesh në kriptovaluta apo në aksione. Mashtrimet kryhen nëpërmjet skemave me call centre ku në shqipëri janë goditur disa raste. Kjo mënyrë mashtrimi çon në qindra miliona euro fitim në një periudhë të shkurtër kohore.

Një shumëllojshmëri e gjerë kombësish janë të përfshira dhe përveç shqiptarëve mashtrues janë edhe belgët, francezët, gjermanët, italianët, portugezët, britanikët, izraelitët dhe ukrainasit.