Projektligji për adresat po diskutohet këtë të martë në Komisionin e Ligjeve.

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi e ka pyetur ministrin e Brendshëm, Taulant Balla për specifikat e projektligjit, dhe nëse do të ndikojë kjo në listat zgjedhore.

Bylykbashi: Çfarë do të ndodhë me adresat aktuale të caktuar shtetasve mbi projektin. Një numër i madh i qytetarëve i kanë raportuar, madje kishte ndëshkime për ata që nuk e deklaronin brenda një afati të caktuar. Çdo të ndodhë me këto adresa? Projekti i 2016 vlen më? Apo bëhet fjalë vetëm për një plotësim? Shtetasit do të dinë adresat ekzakte apo kodin unik?

Balla: Ligji nuk ka asnjë lidhje apo ndërthurje me listat e zgjedhësve.

Dogjani: Nuk jemi parimisht kundër këtij projektligji, është bërë një census në vitin 2023 dhe nuk po publikohet. Sipas INSTAT, ka pasur një sulm nga hakerat, kur do publikohen rezultatet e censusit

Balla: Drejtoria e përgjithshme e të dhënave civile mbështet INSTAT-uin me informacion. Por nuk marrim informacion nga INSTAT-I që ta ndajmë me ju. Ka një kohë për përpunimin e të dhënave që INSTAT po e shfrytëzon. Unë frenohem nga çdo lloj komenti tjetër i natyrës politike sepse mendoj se arsyeja përse jam këtu është për të….Ka ardhur koha për të pasur një sistem unik adresash dhe siç ka treguar eksperienca në gjithë vendet e tjera, ky sistem unik adresash mund të jetë i mirë nëse kemi një kod unik adresash për çdo banesë, apo ndërtesë.

Balla: Ndërthurja e të dy sistemeve do të ketë një kosto rreth 3 milionë lekë të reja. Nuk duhet të bëjmë asnjë ngatërresë mes kodit unik të adresave dhe kodit unik të zgjedhësve

Balla: Projektligji që paraqesim sot para Komisionit tuaj ka të bëjë me disa ndryshime të rëndësishme që synojnë t’i japin një zgjidhje përfundimtare, një problematike të tejzgjatur lidhur me mungesën e unifikimit dhe të standardizimit të sistemit të adresave në Shqipëri. Ndryshimet që kemi sjellë për miratim në Kuvend, kanë të bëjnë me ngritjen e një regjistri unik të adresave në rang vendi, i cili do të kenë detyrimin t’i referohen të gjitha institucionet në vend, qofshin ato publike apo private. Nëse deri më tani kemi pasur regjistra adresash, nga institucione të ndryshme sikurse ato qendrore apo dhe vetë bashkitë, pas miratimit të këtij ligji do të kemi një regjistër unik, me standarde të unifikuara të formatit të adresave në rang vendi. Po ashtu çdo banesë, çdo ndërtesë, çdo biznes, çdo njësi, do të ketë një kod unik identifikues, i papërsëritshëm. Pra çdo banesë në Republikën e Shqipërisë ka kodin e vetë unik. Kjo do të na mundësojë që t’i japim zgjidhje problematikave që lidhen pikë së pari me ofrimin e shërbimeve të duhura te qytetarët. E dyta, ka të bëjë me lehtësimin e mbërritjes në adresë, jo vetëm sa i përket asaj që të gjithë e dimë si shërbimi postar, por edhe sa i përket dhe identifikimit të adresave për vizitorët e huaj në Shqipëri turistëve për të shkuar në një adresë të caktuar. Përmes këtij projektligji do të mundësojmë që duke pajisur me kodin unik çdo banesë, çdo hotel, çdo biznes, çdo apartament, p.sh. një apartament që jepet me shërbimin Airbnb, destinacioni i synuar do të jetë lehtësisht i arritshëm dhe i identifikueshëm.

Regjistri unik është në funksion dhe aktualisht që flasim mund ta check-oni në: adresari.mb.gov.al edhe është duke u pasuruar me një ndërfaqe të re dhe do të jetë i gatshëm në javët dhe muajt në vijim. Do të doja që përmes këtij komunikimi publik jo vetëm me anëtarët e Komisionit të Çështjeve Ligjore, të Administratës dhe të Drejtave të njeriut por mbi të gjitha me publikun, që ta frekuentojnë adresarin online dhe madje të përfitojnë nga shërbimet që ofrohen. Nëse deri para pak vitesh ishim njëri prej vendeve në Ballkan me problematikën më të madhe të sistemit të adresave, sot pretendojmë të jemi vendi me sistemin më të mirë të adresave me shpresën që të gjithë anëtarët e nderuar jo vetëm të Komisionit por edhe të Kuvendit të Shqipërisë ta mbështesin. Kujtoj dhe njëherë që çdo familje shqiptare, apartamentin, banesën e vet, shtëpinë në fshat, në qytet, njësinë tregtare do ta kenë me kod unik.

Ne po punojmë, edhe në momentin që flasim me kompanitë prestigjioze sikurse “google”, dhe pastaj me të gjitha kompanitë e tjera botërore, për të aksesuar dhe për të ofruar menjëherë kodin unik dhe përmes këtij kodi unik, që mund të vendoset p.sh në “google maps” menjëherë të shkosh, të drejtohesh për në banesën apo ndërtesën apo hotelin ku një qytetar shqiptar apo i huaj, ka si destinacion për të mbërritur. Gjithashtu është një arritje e rëndësishme edhe fakti që synohet të përmirësohet një shërbim publik sikurse është shërbimi i Postës, për të cilin besoj që secili prej nesh gjithmonë ka pasur problematika të mbërritjes së zarfit të postës apo një porosie tjetër. Një çështje mendoj ose problematika që janë synuar të adresohen dhe që lidhen kryesisht me pushtetin vendor por jo vetëm ka të bëjë me vendosjen e penaliteteve ndaj organeve të qeverisjes vendore, të cilat kanë përgjegjësinë për zbatimin e të gjithë kuadrit ligjor për sa i përket adresarit në Shqipëri. Problematikat kanë pasur të bëjnë dhe vazhdojnë të kenë të bëjnë me mosndjekjen e procesit të emërtimit të pjesëve të territorit publik nga njësitë e qeverisje vendore, nga moseficenca e ofrimit të shërbimeve publike si rezultat i mosdeklarimit të saktë të të dhënave të vendbanimit, dhe sa i përket mangësive në numërtimin, adresimin numerik të brendshëm dhe të jashtëm të objekteve ekzistuese në Shqipëri.

Kryetari i Bashkisë kontrollon dhe raporton ecurinë e procesit të emërtimit në DPGJC dhe dua të ndaj me ju informacionin se ne kemi kaluar në qeveri dhe do vijmë shumë shpejt këtu për të prezantuar dhe për të kërkuar mbështetjen tuaj edhe për ligjin për Gjendjen Civile. Synojmë po ashtu të rrisim rolin e DPGJC në procesin e kontrollit të drejtpërdrejtë për sa i përket sistemit të adresave. Sa i përket penaliteteve që mendoj se kanë interesin tuaj dhe të publikut që na ndjek, është propozuar vendosja e një mase administrative nga Drejtori i Përgjithshëm i DPGJC për çdo bulevard, për çdo rrugë, për çdo park të paemërtuar si dhe për çdo ndërtesë, hyrje të pa emërtuar. Mendoj që këto janë çështjet që do ta përmblidhnin në minutat që më vendosët në dispozicion, prezantimin e këtij projekt ligji, për të cilin mendoj që opinioni publik, por edhe secili prej nesh këtu si qytetarë në radhë të parë, ka kohë që e ka pritur dhe që mendoj që është një zgjidhje përfundimtare e një problematike të tejzgjatur 30 vjeçare.